zoom

Të gjitha

Raporti/ Kush është zyrtari i dënuar për korrupsion që pastroi para me blerje pronash

Raporti/ Kush është zyrtari i dënuar për korrupsion që pastroi para me blerje pronash

Agjencia e Inteligjencës Financiare ka publikuar raportin për vitin 2025, ku evidentohen disa nga rastet më problematike të dyshuara për pastrim parash në Shqipëri. Sipas raportit, sektori imobiliar vijon të mbetet një nga mekanizmat kryesorë për qarkullimin dhe fshehjen e parave me origjinë të dyshimtë, ndërsa një nga skemat më të përdorura mbetet shtresëzimi i transfertave financiare, përmes dërgesave në disa destinacione për të humbur gjurmët e burimit real të fondeve.

Ish-zyrtari i dënuar për korrupsion

Një ish-zyrtar shtetëror i dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre dyshohet të jetë përfshirë në skemën e pastrimit të parave, përmes investimit në pasuri të paluajtshme. Fondet për blerjen e pronave rezultojnë të jenë siguruar përmes depozitimeve dhe transfertave nga persona të tretë me lidhje të paqarta.

Sipas raportit të AIF, shtetasi A, ish-punonjës në një institucion shtetëror dhe i dënuar më parë për korrupsion dhe shpërdorim detyre, gjatë vitit 2024 ka nënshkruar kontrata sipërmarrjeje për prenotimin e disa pasurive të paluajtshme.

Konkretisht, ai ka prenotuar një apartament me vlerë 60,000 euro, poste parkimi me vlerë 35,000 euro dhe një njësi tregtare me vlerë 60,000 euro. Në total, investimi arrin në 155,000 euro.

Nga analiza e llogarive bankare rezultoi se fondet për blerjen e këtyre pronave janë akumuluar përmes depozitimeve cash dhe transfertave nga persona të tretë në vlerë rreth 140,000 euro.

Sipas raportit, transfertat janë kryer në forma të ndryshme si dhurime, hua apo likuidime borxhesh, ndërsa lidhjet mes palëve janë konsideruar të paqarta nga Agjencia e Inteligjencës Financiare.

Raporti evidenton disa elemente që kanë ngritur dyshime për autoritetet, duke nisur nga çmimi i ulët i pronave nën vlerën e tregut, strukturimi i pagesave nga persona të ndryshëm dhe përqendrimi i transfertave në llogari me qëllim përfitimin e pasurive të paluajtshme dhe dhënien e huave.

AIF thekson gjithashtu se mënyra e qarkullimit të fondeve dhe mungesa e qartësisë mbi marrëdhëniet mes personave të përfshirë kanë shtuar dyshimet mbi origjinën reale të parave të përdorura për investimet.

Për shkak të këtyre elementeve, rasti është referuar për hetime të mëtejshme pranë organeve të zbatimit të ligjit.

Postime të lidhura