zoom

Aktualitet

Rama takon banorët në Zvërnec, qytetari i kthehet: Im atë luftoi 25 vjet për atë tokë derisa vdiq

Rama takon banorët në Zvërnec, qytetari i kthehet: Im atë luftoi 25 vjet për atë tokë derisa vdiq

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi, kryeministri Edi Rama udhëtoi me helikopter drejt Vlorës, për të zhvilluar një bisedë me banorët e Zvërnecit, pas protestave të ditëve të fundit që kishin si pikënisje projektin në këtë zonë.

Gjatë takimit, një qytetar i zonës i shprehu pakënaqësi Ramës për çështjen e pronësis së tokës.

Ai theksoi se familja e tij e ka tokën të trashëguar prej brezash dhe se për dekada të tëra ka ndjekur procese gjyqësore për njohjen e pronësisë. Sipas tij, babai i tij ka kaluar 25 vite duke u përpjekur për të drejtën e tokës, deri në ndarjen nga jeta.

Në përgjigje të shqetësimeve të banorëve, Edi Rama theksoi se nuk ka vënë në dyshim pronësinë e askujt dhe se, sipas tij, shumë prej pronave në zonë janë kthyer vite më parë në bazë të ligjeve në fuqi.

Kryeministri shtoi se çështja e drejtësisë së procesit të kthimit të pronave nuk është kompetencë e qeverisë, por e gjykatave, të cilat duhet të vendosin nëse gjithçka është bërë në mënyrë të drejtë.

Gjithashtu ai përsëriti qëndrimin se pronat private janë në dorë të pronarëve dhe çdo marrëveshje me investitorët është çështje individuale mes palëve.

Qytetari: Ajo është një tokë e trashëguar dembabadem. Mua më vrau, u duk e paragjykuar, u duk sikur ç’të pres unë tani nga gjykata. Nëse më takon prona apo jo e cakton gjykata.

Më kanë sorrollatur 35 vite, 25 vite luftoi im atë derisa vdiq. Fakti që s’kemi vrarë e prerë s‘do të thotë që të mos intervistohemi e të mos kemi zë. Disa deklarata tuajat më kanë prekur.

Rama: Fjalët kanë peshë të madhe. Unë jam shumë i kudjesshëm me fjalë. Kam thënë që prona është e kthyer denbabaden. Është kthyer shumë vite më parë, jo në këtë periudhë.

Ligji funksionon që kthehen pronat e trashëguara. Nëse kthimi është i drejtë ose jo këtë nuk e vendos unë apo qeveria./ Zoom.al

Postime të lidhura