zoom

Lajme

Mes protestave për Zvërnecin Rama thumbon Brukselin: Zoti, s*ksi dhe BE-ja janë të paparashikueshëm

Mes protestave për Zvërnecin Rama thumbon Brukselin: Zoti, s*ksi dhe BE-ja janë të paparashikueshëm

Kryeministri Edi Rama ka tërhequr sërish vëmendjen me deklaratat e tij thumbuese në drejtim të Bashkimit Evropian. Gjatë punimeve të samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet sot në Tivat të Malit të Zi, Rama nuk i ka kursyer ironitë për zvarritjen e procesit të integrimit të rajonit.

Duke përdorur një krahasim sa të pazakontë aq edhe filozofik, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se vendimet e Brukselit mbeten një mister i madh.

“Ka tre gjëra që janë plotësisht të paparashikueshme në jetë: Zoti, seksi dhe Bashkimi Evropian,” deklaroi Rama para disa mediave përpara nisjes së samitit. 

Më tej, kryeministri zgjodhi një tjetër metaforë, këtë herë familjare, për të ilustruar se si BE-ja duhet t’i trajtojë vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor gjatë fazës së pritjes. Sipas tij, Brukseli duhet t’i mbajë këto shtete afër vetes dhe jo t’i lërë në “grupim” të veçuar derisa të jetë gati për t’i anëtarësuar.

“Fëmijët mbahen të gjithë bashkë, afër,” u shpreh Rama. “Nuk u thua fëmijëve rrini tek fqinjët sa të bëhemi gati, por ata mbahen në familje”. 

Kjo nuk është hera e parë që Rama zgjedh tone sarkastike për të shprehur zhgënjimin e rajonit me burokracinë e Brukselit. Gjermania dhe Franca kanë përgatitur një dokument të ri për integrimin, ndërkohë që Rama shkon në këtë samit me një situatë të tensionuar në Tiranë, pas protestave masive qytetare kundër ndërtimit të resortit luksoz të Jared Kushner dhe vëllezërve sirianë Al-Khayyat në Zvërnec.

I pyetur për Zvërnecin ai tha se s’ka asgjë për të diskutuar, pasi nuk ka ende projekt.

“S’ka asgjë për të diskutuar sepse s’ka asnjë projekt të miratuar. Së pari duhet të kemi një projekt, ta diskutojmë dhe miratojmë. Por s’mund të diskutojmë një projekt. Faktet kanë gjithnjë rëndësi. S’ka arsye për t’u shqetësuar sa kohë që s’ka projekt. Arkitektët duan të bëjnë diçka unike dhe një dhuratë të mrekullueshme për Shqipërinë”, tha Rama. /Zoom.al

Postime të lidhura