zoom

Lajme

Rama sulmon protestuesit: Sharlatanët nuk do të më tregojnë si bëhet Shqipëria

Rama sulmon protestuesit: Sharlatanët nuk do të më tregojnë si bëhet Shqipëria

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj protestave që po zhvillohen prej javësh në Tiranë, duke deklaruar se nuk pranon që, sipas tij, “sharlatanë” apo “hipokritë” t’i tregojnë se si duhet të qeveriset Shqipëria.

Gjatë podcastit “Flasim”, kreu i qeverisë u ndal te protestat dhe motivet që, sipas tij, i shtyjnë qytetarët të marrin pjesë në to.

Rama tha se jo të gjithë protestuesit ndodhen në shesh për të njëjtat arsye, duke dalluar mes qytetarëve që përballen me probleme reale dhe atyre që, sipas tij, ndikohen nga rrjetet sociale, manipulimet apo impulset politike.

Ai u shpreh se e kupton zemërimin e njerëzve që kanë halle konkrete dhe se pikërisht këto shqetësime janë ato që i tërheqin vëmendjen. Sipas Ramës, protestat e qytetarëve që përballen me probleme të përditshme janë të kuptueshme, ndërsa ai kritikoi ata që, sipas tij, e përdorin pakënaqësinë publike për qëllime të tjera.

Kryeministri deklaroi se nëse nuk do të ishte në detyrën që mban sot, edhe vetë mund të ishte pjesë e një proteste të motivuar nga padrejtësitë apo problemet reale. Megjithatë, ai theksoi se nuk pranon që persona të cilët i konsideron të manipuluar apo të lidhur me interesa të tjera të paraqiten si zëri i qytetarëve.

“Unë dua ta them shumë qartë dhe drejtpërdrejtë, kjo është protesta që mua më intereson, që më zemëron po ashtu që më motivon të vijoj luftë time,. Nuk më zemër protesta e sikureve apo shtirjeve, ajo më neverit, kjo më zemëron, nëse nuk do të isha në vendin tënd i dashur Amos, do të isha edhe vetë në protestë.

E ndjej zemërimin tënd. Jo çdo kush është në protestë për të njëjtën arsye. Ka nga ata që nuk i çon aty like, influencer, impulset e verbra nacionaliste , manipulimet apo misionet për të manipuluar të tjerët, por një hall që kthehen në zemërim e që më pas shpërthen.

Çdo mesazh që më vjen në telefon unë e ndjek. Ata që më janë vënë pas do të më gjejnë pas, në aspektin e debatit. Nuk pranon çdo sharlatan apo njeri të futur nga të tjerë, apo hipokritë që i kam parë në punë të marrin mikrofonin e të më thonë se si bëhet Shqipëria, këtë nuk e pranoj”, tha Rama./ Zoom.al

Postime të lidhura