zoom

Aktualitet

Zhduket në liqen bashkëshorti i ministres italiane

Zhduket në liqen bashkëshorti i ministres italiane

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, pasi prej disa orësh vijojnë kërkimet për gjetjen e Luigi Cavallari, bashkëshortit të ministres italiane Eugenia Roccella, i cili rezulton i zhdukur në liqenin e Vicos në rajonin e Tuscias.

Sipas mediave italiane, 84-vjeçari ndodhej në një varkë së bashku me bashkëshorten e tij, kur vendosi të hidhej në ujë për të notuar. Pak çaste më vonë ai nuk u pa më në sipërfaqe.

Ishte vetë ministrja Eugenia Roccella ajo që njoftoi autoritetet dhe kërkoi ndërhyrjen emergjente të shërbimeve të shpëtimit.

Menjëherë pas sinjalizimit, në zonë u angazhuan ekipet e zjarrfikësve dhe zhytësit specialistë, ndërsa gjatë natës operacionet e kërkimit vijuan me mjete të teknologjisë së avancuar, përfshirë edhe robotë nënujorë të telekomanduar.

Në operacion janë përfshirë ekipe zhytësish nga Roma, Napoli dhe Firence, të specializuara për kërkime në ujëra të thella dhe me shikueshmëri të kufizuar.

Autoritetet italiane nuk kanë përcaktuar ende rrethanat e zhdukjes, ndërsa operacioni paraqitet tepër i vështirë për shkak të karakteristikave të liqenit të Vicos, i cili arrin thellësi deri në 50 metra dhe ka një terren të ndërlikuar në fundin e tij.

Luigi Cavallari njihet edhe për kontributin e tij në fushën akademike. Ai është profesor në Universitetin “Gabriele d’Annunzio” në Chieti-Pescara dhe studiues në teknologjinë e arkitekturës.

Cavallari dhe ministrja Eugenia Roccella janë të martuar prej shumë vitesh dhe kanë dy fëmijë./ Zoom.al

Postime të lidhura