Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që po zhvillohen prej thuajse një muaji në Tiranë, duke deklaruar se pas tensioneve dhe pakënaqësive të shprehura në rrugë qëndrojnë individë, organizata dhe aktorë të tjerë që, sipas tij, nuk kanë interes për zgjidhjen e problemeve.
Gjatë podcastit të fundjavës, kreu i qeverisë tha se i kupton shqetësimet dhe vështirësitë e qytetarëve, por theksoi se ato nuk duhet të shndërrohen në instrument për ata që synojnë të mbajnë të gjallë zemërimin dhe konfliktin në shoqëri.
“Kur problemi prek drejtpërdrejt jetën e njerëzve, është e kuptueshme që durimi të ketë arritur në kufijtë e tij. Por një shqetësim i drejtë nuk duhet të përdoret si karburant nga ata që ushqehen me rrëmujën dhe tensionin”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, pas protestave ndodhen grupe dhe aktorë që përfitojnë nga situatat e krizës dhe nuk janë të interesuar që problemet të marrin zgjidhje.
“Ka njerëz, organizata dhe aktorë të tjerë, edhe jashtë vendit, të cilët ushqehen me problemet e të tjerëve. Ata nuk kërkojnë zgjidhje, por kanë interes që zemërimi dhe pakënaqësia të vazhdojnë”, deklaroi ai.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat në kryeqytet kanë hyrë në javën e katërt, ndërsa pjesëmarrësit kanë ngritur akuza ndaj qeverisë për situatën ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e përgjigjeve ndaj kërkesave të tyre.
Nga ana tjetër, opozita dhe protestuesit kanë kundërshtuar qëndrimet e kryeministrit, duke argumentuar se pakënaqësia qytetare lidhet me problemet e brendshme dhe jo me ndikime të jashtme./ Zoom.al