zoom

Aktualitet

Rama sulmon gjyqtarët: Duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, skandal

Rama sulmon gjyqtarët: Duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, skandal

Gjykata Kushtetuese është mbledhur paraditen e sotme për të shqyrtuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, e cila synon rritjen e pagave për gjyqtarët përmes vendimit gjyqësor.

Lidhur me këtë seancë ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar procesin si një “farsë” dhe një shkelje të rëndë morale, ligjore dhe kushtetuese. Sipas Ramës, kërkesa synon që gjyqtarët të rrisin pagat e tyre me vendim gjykate, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndonëse janë tashmë kategoria më e lartpaguar në vend.

Kryeministri shprehet se kjo nismë synon t’u japë gjyqtarëve një të drejtë të përhershme për të rritur pagat sa herë që rriten pagat e kategorive të tjera, duke marrë kompetenca që, sipas tij, i përkasin qeverisë dhe Kuvendit.

Rama e cilëson këtë situatë si një precedent të rrezikshëm dhe u shpreh se shpreson që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë një vendim të tillë, i cili, sipas tij, do të përbënte një turp kombëtar.

Në reagimin e tij, kryeministri ka shprehur gjithashtu vlerësim për SPAK-un, duke theksuar se nuk iu bashkua kësaj kërkese, të cilën Rama e cilëson si të pajustifikuar dhe të dëmshme për parimet e shtetit të së drejtës.

Reagimi i Ramës:

Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre
me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar!

Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit

Postime të lidhura