zoom

Lajme

Homazhe për 21 janarin, Rama: SPAK duhej ta kishte kërkuar deri tani drejtësinë për 4 vrasjet shtetërore

Homazhe për 21 janarin, Rama: SPAK duhej ta kishte kërkuar deri tani drejtësinë për 4 vrasjet shtetërore

U mbajtën këtë të mërkurë në godinën e Kryeministrisë homazhe me rastin e 15-vjetorit të 21 janarit 2011, ku katër qytetarë humbën jetën në protestën e thirrur nga Partia Socialiste. Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij para familjarëve të viktimave u shpreh se situata u përshkallëzua pas përpjekjes së policisë për të shpërndarë tubimin ende pa u mbledhur. Sipas tij, armët u ulën në drejtim të qytetarëve me urdhër duke marrë katër jetë të pafajshme dhe duke plagosur disa të tjetër.

“Pasojë fatale e mendjes kriminale e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin pa u treguar kundërshtarëve politikë dhe shqiptarëve se të vriste me të vërtetë”, tha Rama duke nënkuptuar këtu ish-kryeministrin Sali Berisha.

Kreu i qeverisë shtoi se pas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dy vite më parë, prokurorët e posaçme duhet ta kishin kërkuar deri tani drejtësinë. Ai theksoi se përmbytja e sistemit të vjetër të drejtësisë nuk ka mjaftuar për të zhdukur hijen e padrejtësisë për këtë çështje

“As përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë, as pavarësimi i pushtetit gjyqësor dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë së individëve të veshur me pushtet politik nuk kanë mjaftuar për ta zhdukur hijen e padrejtësisë për 21 janarin Nuk ka mjaftuar as vendimi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut më shumë se dy vjet më parë që prokurorët speciale të kësaj republike t’ia kishin kërkuar deri tani gjykatës speciale drejtësinë për katër vrasjet shtetërore të 21 janarit ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm drejtësisë, të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të barazisë së secilit para ligjit prej plot gjashtë vjetësh ne u bëjmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë presidentit të Republikës, pa llogaritur justifikim me durim dhe heshtje nga ana jonë, të gabimeve të tyre ndonjëherë tejet shqetësuese si gabime të rritjes së një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës”, tha Rama.

Ai kritikoi SPAK-un se është sjellë sikur 21 janari nuk ka ekzistuar, duke e thumbuar për çështje të tjera që kanë prekur anëtarë të lartë të Partisë Socialiste.

“Fatkeqësisht edhe vetë SPAK bëri sikur kjo histori nuk ekziston. SPAK merret drejtpërdrejt, ndërkohë që kur i është dashur ka hetuar dhe ka ngritur akuza pa kaluar asnjë vit për çështje të hapura edhe me letër anonime, duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës të shtetit, në çështje të cilat janë aq të sforcuara saqë mund të shkruhen romane satirike”, tha Rama.

Postime të lidhura