Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka sulmua protestën e zhvilluar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, ku pati përplasje dhe mbetën të plagosur punonjës policie.
Në një postim në rrjetin social X, Rama publikoi foto të mjeteve piroteknike dhe molotovëve të sekuestruar, duke i cilësuar si “bomba artizanale” me të cilat, sipas tij, u sulmuan dhe u plagosën efektivët e policisë.

“Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!”, shkroi Rama.
Ai u shpreh se pret që drejtësia të veprojë pa hezitim ndaj personave përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj policisë. “Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!”, theksoi kryeministri.
Në fund të reagimit, Rama u ndal edhe te aspekti politik i protestës, duke deklaruar se fati i “këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard” do të vendoset në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, të cilat, sipas tij, do të shënojnë një tjetër disfatë për opozitën.
Ndërsa kryeministri flet për dhunë politike dhe përgjegjësi, ai harron protestën e organizuar nga vetë ai më 21 janar 2011, një nga më të dhunshmet në Shqipëri, ku pati edhe viktima.
Protestuesit e thirrur nga Edi Rama, në atë kohë në opozitë, shkaktuan përplasje të dhunshme, djegie dhe shkatërrime në bulevard.

Ndërsa Garda e Republikës hapi zjarr drejt turmës dhe si pasojë e të shtënave humbën jetën katër protestues: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Ngjarja mbetet ende një plagë e hapur në debatin politik shqiptar, me akuza dhe kundërakuza për përgjegjësitë institucionale dhe politike të asaj dite.

Kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet duke premtuar drejtësi për viktimat, por duket se i ka lënë në harresë duke u mjaftuar me një trëndafil çdo përvjetor në Bulevard në nderim të tyre.

