Aplikacion
A ju kujtohet video ku Edi Rama, së bashku me Lefter Kokën i luteshin Nasip Naços për ta shkëputur nga LSI? Po emërimi i ish -deputetes Silva Caka si zëvendësministre e Brendshme? Po ish-kreu i PD-së së Vlorës, Genc Deromemaj që u emërua drejtor i Kadastrës së Vlorës?
Të gjithë këta dhe shumë të tjerë, të njohur e të panjohur për publikun, janë rekrutuan nga pushteti, mesa duket më një qëllim: shtimin e votave për PS-në dhe dobësimin e mëtejshëm të opozitës.
Duket si një plan për të “blerë” gjithkënd që mund të dëmtojë kundërshtarët, përmes postesh publike, tenderash apo pozicionesh të favorshme në administratë.
Tani Edi Rama ka nisur të rekrutojë edhe kundështarët e rivalëve përtej kufijve. Ai ka emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Portit të Durrësit, Liburn Aliun, ish- ministër të Vetëvendosjes, që i ka prishur marrëdhëniet me Albin Kurtin. Dihet që edhe marrëdhëniet e Ramës me Kurtin janë në pikën më të ulët historike në raportet mes dy kryeministrave të Shqipërisë e Kosovës.
Për ta kuptuar më shumë lëvizjen e Ramës, mjafton të kujtojmë se Libur Aliu nuk ka asnjë lidhje me çështje të administrimit të donagave apo transporteve, siç do të duhet të kishte një drejtor porti.
Ai ka qenë Minister i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Albin Kurtit dhe shtypi në Kosovë, si Koha, shkruante se në kohën që ai ka qenë ministër, u kritikua se nuk punoi për infrastrukturën dhe mbrojtjen e mjedisit”.
Liburni ka shkëlqyer më së fundi vetëm në akuzat ndaj Kurtit, çka mesa duket i intereson edhe Ramës, pasi për çështje administrative ai s’ka lënë gjurmë.
Me emërimin e Liburn Aliut, Rama tregoi sot edhe njëherë se është gati t’i japë ofiqe çdo figure që vjen nga radhët e kritikëve, kundështarëve apo rivalëve të tij politikë, me shumë gjasë jo për të përfituar nga përvoja e tyre administrative, por për llogari të pastra politike, që i shërbejnë vetëm pushtetit të tij. Përdryshe do të ishte përrallë shumë e bukur të besonim që Liburni do të na zhdukte korrupsionin, kontrabandën dhe trafikun e drogës që vërshon lumë në portin e Durrësit. /Zoom.al