Aplikacion
Në skenën publike, emri i Adelajda Rokajt është pothuajse i panjohur. Ajo nuk mban konferenca për shtyp, nuk shfaqet nëpër televizione dhe u shmanget pyetjeve të gazetarëve. Por brenda mureve të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, AZHT, institucionit që ajo drejton prej nëntorit të vitit 2023, Roka është njeriu më i rëndësishme i tregut multimilionësh të ndërtimit në Shqipëri.
Ajo është “mekanizmi”, siç e cilësojnë me një sinqeritet tronditës arkitektët ndërkombëtarë, që lidh vizionet estetike të kryeministrit Edi Rama me paratë dhe ambiciet e asaj kategorie që në “The Albanian Files” quhen si “our guys” (çunat tanë), njerëz me ora dhjetra mijëra euroshe në dorë, Richard Mille e Cartier dhe me makina “G Wagon”, me gjasë, të ngjashëm me “çunat e Lodrës”, që në Shqipëri sjellin paratë e drogës me thasë.
Zbulimet e fundit nga libri kontrovers “The Albanian Files”, i botuar në Zvicer nga shtëpia prestigjoze “Lars Müller Publishers”, kanë hedhur dritë për herë të parë mbi rolin e vërtetë të Adelajda Rokajt, atë të një koordinatorje në hije të aferave me ndërtimin e kullave në Tiranë dhe të resorteve turistike luksoze në bregdet.
Arkiteti amerikan Sam Chermayeff e ka treguar se ka marrë një telefonatë nga Roka në orën 10 të mbrëmjes më 1 maj 2024, e cila i tha se do ta telefononte vetë”Edi”. Pa pasur asnjë projekt në tavolinë, pa asnjë garë apo konkurs publik, ajo i kërkoi studios së tij të projektonte dy struktura gjigante në Tiranë, njëra 30 mijë dhe tjetra 15 mijë metra katrorë.
Kjo bisedë zbulon se si Roka operon jashtë kornizave të ligjit. Ajo shfaqet si një agjente që u ndan vëllime të mëdha ndërtimore ndërtuesve dhe arkitektëve, të cilat, pasi kalojnë nga zyra e saj, sigurojnë lejen e ndërtimit në Këshillin Kombëtar të Territorit.
Portreti më besnik i Rokajt mund të vizatohet në aftësinë e saj për të bërë bashkë dy botë krejtësisht të ndryshme. Nga njëra anë janë arkitektët fitues të çmimeve “Pritzker”, të cilët vijnë në Shqipëri të joshur nga premtimi i një “El Dorado-je” urbanistike, ku nuk ka limite e rregulla dhe ku çmimet e projektimit paguhen deri në 10-fishin e tregut vendas. Nga ana tjetër janë “biznesmenët” lokalë me makina G-Wagon, ora Richard Mille dhe byzylykë floriri Cartier.
Kur arkitekti koreano-jugor Minsuk Cho zbriti në Tiranë në gusht të vitit 2024, ishte pikërisht Adelajda ajo që e mori dhee prezantoi me projektet potenciale të biznesit privat dhe më pas e uli në tavolinë me kryeministrin për të bërë llogaritë e sipërfaqeve të ndërtimit.
Për “çunat tanë”, Roka është garancia e sistemit. Ndërtuesit vendas e dinë se një projekt i bërë nga një studio lokale ka rrezik të rrëzohet, por nëse kalon nga zyra e Rokajt dhe vishet me firmën e një “star-arkitekti” të huaj, kthehet në një investim të sigurt që merr leje zhvillimi brenda pak kohësh, siç ka ndodhur me kullën 44-katëshe “Sun Moon Star” në Bulevardin e Ri.
Në AZHT nuk shkohet me projekt, shkohet për takim
Arkitektët shqiptarë thonë se nën drejtimin e Adelajda Rokajt, AZHT ka pushuar së qeni një organ rregullator dhe kontrollues dhe është kthyer në një noterizuese të marrëveshjeve informale që bëhen nëpër tavolina private apo nëpër Whatsapp e Signal.
“Në AZHT nuk shkohet me projekt, por shkohet për takim,” thonë operatorët vendas. Dhe në këto takime, ligji, intensiteti i ndërtimit dhe koeficientët e shfrytëzimit të truallit nuk kanë më vlerë. Ato i vendos Roka dhe Rama, një dyshe që ka krijuar atë që mund të quhet “sistemi 2R” në ndërtim. Për kritikët, ky model i drejtimit që përfaqëson Adelajda Roka është dëshmi e pastër e kapjes së shtetit.
Adelajda Roka mund të duket një zyrtare pa dëshirë për të qenë në qendër të vëmendjes, por pesha e saj në sektorin endërtimit është e jashtëzakonshme. Ajo ka arritur të kthejë një agjenci shtetërore në një zyrë gati private ndërmjetësimi për llogari të një grupi të ngushtë investitorësh.
Ajo, siç rezulton nga libri “The Albanian Files” është arkitektja operative e sistemit të kullave, zyrtarja që siguron që egoja estetike e kryeministrit dhe instinkti i përfitimit të “çunave me G-Wagon” të shkrihen në të njëjtën leje ndërtimi, duke projektuar një vend që rritet me shpejtësi në beton, por që dita-ditës tkurret në popullsi. /Zoom.al