zoom

Aktualitet

Sytë e botës nga takimi i NATO-s/ Çfarë pret Tirana? A do të marrë sinjale për samitin e ardhshëm?

Sytë e botës nga takimi i NATO-s/ Çfarë pret Tirana? A do të marrë sinjale për samitin e ardhshëm?

Liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s mblidhen këtë javë, më 7 dhe 8 korrik, në Ankara, në një samit që pritet të përcaktojë hapat e radhës të Aleancës përballë sfidave të sigurisë.

Në qendër të diskutimeve do të jenë lufta në Ukrainë, rritja e investimeve në mbrojtje, forcimi i industrisë ushtarake dhe zbatimi i angazhimit të vendeve anëtare për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.


Për Shqipërinë, samiti i Ankarasë ka një rëndësi të veçantë. Përveç pjesëmarrjes në vendimmarrjen e Aleancës, Tirana pret të marrë një sinjal të qartë për organizimin e samitit të NATO-s në vitin 2027, i cili do të ishte i pari në historinë e vendit.
Megjithatë, pak ditë para nisjes së samitit, agjencia Reuters raportoi se në draft-deklaratën përfundimtare nuk përmendet Shqipëria si vendi pritës i samitit të ardhshëm.

Sipas Reuters, kjo lidhet me diskutimet brenda Aleancës për nivelin e shpenzimeve shqiptare në mbrojtje dhe me negociatat që vijojnë mes vendeve anëtare për tekstin përfundimtar të deklaratës. Burime diplomatike të cituara nga agjencia theksojnë se drafti mbetet i hapur për ndryshime dhe se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.


Autoritetet shqiptare kanë minimizuar rëndësinë e këtij zhvillimi, duke theksuar se draftet nuk përbëjnë vendime zyrtare dhe se negociatat vazhdojnë deri në miratimin e deklaratës nga krerët e shteteve dhe qeverive.


Nëse gjatë samitit konfirmohet zyrtarisht Tirana si mikpritëse e vitit 2027, Shqipëria do të hyjë në një fazë intensive përgatitjesh për një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike dhe të sigurisë të organizuara ndonjëherë në vend.

Zoom.al/

Postime të lidhura