Aplikacion
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit “NAN 1 OPTIPRO”, qumësht formulë për foshnjat, pasi gjatë kontrolleve është konstatuar prania e bakterit cereulide.
Sipas njoftimit zyrtar, pas kryerjes së procedurave të kontrollit dhe gjurmueshmërisë, është bllokuar e gjithë sasia e produktit që ndodhej në magazina, si edhe ajo që ishte kthyer nga pikat e shitjes. AKU bën me dije se produkti do të asgjësohet ose do të rikthehet në vendin e origjinës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Autoriteti sqaron se tërheqja nga tregu e lotit “NAN 1 OPTIPRO” 800 gram është njoftuar nga subjekti importues në Shqipëri, pas komunikimit zyrtar nga kompania prodhuese “Nestlé”. Masa është ndërmarrë si veprim parandalues, pasi prania e bakterit është konstatuar gjatë procesit të prodhimit në Holandë.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera në terren, AKU ka konstatuar se supermarketet ku është tregtuar ky produkt kanë vendosur njoftime informuese për konsumatorët, në përputhje me detyrimet ligjore.