Aplikacion
Konsumatorët shqiptarë, prej muajsh po përballen me kërcënime serioze të sigurisë ushqimore, që bëhen edhe më të rënda për shkak të mungesës së informacionit.
Skandali i fundit erdhi nga Gramshi, ku 70 fëmijë u helmuan në kopësht pasi rezultoi se kishin konsumuar vezë me salmonelë. Analizat e AKU raportojnë se të pesta mostrat e marra për analizë nga loti i vezëve, kanë rezultuar pozitive me salmonelë.
Përgjigjet që dolën ditë pas helmimit të fëmijëvë, nuk shërbejnë as për të parandaluar helmime të tjera, sepse AKU nuk ka publikuar emrin e kompanisë së vezëve, me qëllim ruajtjen e imazhit. Përveç se morale, etike dhe njerëzore, mosinformimi publik është një shkelje ligjore. Neni 8 i ligjit “Për ushqimin” që formalizon AKU-në si institucion përcakton detyrimin e informimit dhe ndërgjegjësimit publik.
Disa media raportojnë se bëhet fjalë për një nga kompanitë që u prek pak javë më parë nga gripi i shpendëve. Qendra “Alert” thotë se është kompania “Xhenis” me bazë në Shkodër.
Prej muajsh tashmë siguria ushqimore në Shqipëri ka kaluar në nivelet e një vendi të botës së tretë, me insitucione që nuk reagojnë, nuk informojnë dhe nuk mbrojnë konsumatorin shqiptar. Përveç raportimit mediatik, janë të paktë zërat kritikë që flasin për biznesin e pistë të ushqimeve në vend.