Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për gjendjen e sigurisë ushqimore në vend, pas rastit të fundit kur pjeshkët shqiptare u bllokuan në kufirin me Kroacinë për shkak të nivelit të lartë të kimikateve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku tha se ky është vetëm rasti më i fundit pas ndalimit të mandarinave, domateve dhe specave në tregjet e Bashkimit Europian, si pasojë e kontrolleve të sistemit europian për sigurinë ushqimore.
Sipas saj, situata tregon dështimin e sistemit të ngritur nga qeveria, i cili nuk garanton as mbrojtje për konsumatorët dhe as mbështetje për fermerët.
Pjesë nga fjala e Jorida Tabakut
Siguria ushqimore është në pikën më të ulët.
Mbas mandarinave të bllokuara në dhjetor të vitit të shkuar, mbas domateve e specave, erdhi radha e pjeshkave të bllokohen në kufi me Kroacinë si rezultat i sistemit të koordinimit Europian për sigurinë ushqimore.
Ne nuk e dimë se çfarë produktesh konsumojmë ne dhe fëmijët tanë, çfarë produktesh vendosen në tryezat tona. Sepse sistemi që kemi ndërtuar në bujqësi nuk mbështet fermerin, nuk garanton kontrollin e kimikateve që përdoren dhe nuk siguron cilësinë e produkteve që dalin në treg.
Ndërkohë që shteti merret me rigonin që mblidhet në male dhe sheh nëse shitet me fatura apo pa fatura, maunet me produkte të pasigurta kalojnë lirshëm në tregje. Ky është sistemi që është ngritur.
Shqipëria sot ka nevojë për gjëra normale: për siguri ushqimore, për ujë 24 orë, për rrugë të sigurta, për shkolla të sigurta. Vetëm pas këtyre, mund të flasim për ëndrra të tjera që shpesh mbeten në letër./ Zoom.al