zoom

Ekonomi

Qeveria, gati ligjin për të lehtësuar koncesionarët: Garancia, sa 5% e kontratës

Deputeti socialist dhe biznesmeni Laert Duraj ka depozituar në Kuvend një draft ku kërkon lehtësime për koncesionarët.

Në dokumentin e publikuar propozohet që për fituesit e kontratave koncesionare garancia (sigurimi i kontratës) të jetë sa 5% e vlerës së ndërtimit dhe jo sa 5% e vlerës së kontratës siç është momentalisht. Pas periudhës së ndërtimit, thekson drafti, të llogaritet sa 5% e vlerës së mbetur të kontratës.

Sipas deputetit, ky ndryshim duhet të ndodhë sepse ligji në fuqi i ka rënduar kompanitë me vlera të larta që shërbejnë si garanci.

“Nga zbatimi në praktikë i ligjit, mënyra e përllogaritjes së garancisë së realizimit të kontratës ka rezultuar në vlera mjaft të larta, të cilat pengojnë financimin real të projektit që synon të zhvillohet” e argumenton deputeti socialist.

Ndryshimet e propozuar në ligjin e koncesioneve lehtësojnë kompanitë që kanë fituar kontratat e mëdha koncesionare në ndërtim rrugësh, ku vlerat e larta të kontratës imponojnë garanci të mëdha financiare, që kompanitë duhet të ngrijnë për llogari të shtetit.

Ndër to përmenden 3 kontratat koncesionare të segmentit Milot Fier, të cilat në total kanë një vlerë prej gati 1 miliardë euro.

Së fundmi qeveria ka vendosur rishikimin e ligjit për koncesionet dhe PPP-të brenda 2025-s.