zoom

Aktualitet

Petrit Vasili: Ministri i Jashtëm Hoxha, një Shvejk “romantik”

Petrit Vasili: Ministri i Jashtëm Hoxha, një Shvejk “romantik”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, duke e cilësuar atë si një “Shvejk romantik” pas deklaratave të fundit mbi integrimin europian dhe marrëveshjen me Italinë për kampin e emigrantëve në Shëngjin.

Në reagimin e tij, Vasili akuzon Hoxhën për gafa të njëpasnjëshme në deklaratat publike, duke kujtuar edhe komentet e mëparshme të ministrit për kryeministrin Edi Rama dhe marrëdhëniet me presidentin serb Aleksandar Vucic.

Sipas Vasilit, ministri ka ofenduar edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut me deklarata të papërshtatshme.

Duke iu referuar një interviste të Hoxhës për Euractiv, Vasili ironizoi faktin që ministri tha se kishte bërë vetëm “reflektime” dhe jo vendime lidhur me çështje të politikës së jashtme.

“Vetëm një profan i paaftë mund të thotë një gjë të tillë, sepse Kushtetuta nuk ia ka lënë ministrit marrjen e një vendimi të tillë”, shprehet Vasili.

Ai shton se, nëse Hoxha dëshiron të bëjë “reflektime”, mund të japë dorëheqjen dhe të merret me “ëndërrime”, ndërsa ironizon sigurinë e ministrit se Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian në vitin 2030.

Vasili e krahason Hoxhën me personazhin letrar Shvejk, duke kujtuar shprehjen ironike: “Takohemi pas luftës në orën 6”, dhe shton se ministri shqiptar është “i vetmi në Europë” që e di me saktësi vitin e hyrjes së Shqipërisë në BE.

Postime të lidhura