zoom

Lajme

Mesazhi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut/ PD kërkon “kokën” e ministrit: Të dorëhiqet!

Mesazhi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut/ PD kërkon “kokën” e ministrit: Të dorëhiqet!

Reagimet politike vijojnë pas publikimit të mesazheve të ministrit për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ku ai akuzohet se ka përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke i quajtur idiotë.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se kjo çështje nuk mund të konsiderohet e mbyllur pa pasoja politike.

Sipas Bardhit, deklaratat e ministrit janë të papranueshme, sidomos duke pasur parasysh rolin e tij në përfaqësimin e politikës së jashtme të Shqipërisë. Ai kërkon që Hoxha të japë dorëheqjen dhe të paraqitet në Kuvend për të dhënë llogari mbi qëndrimet e tij.

Reagimi i Bardhit erdhi pas komenteve të ministrit Hoxha në një konferencë, ku iu shmang pyetjes së gazetarëve, duke deklaruar se kjo çështje i përket javës së kaluar.

Reagimi i plotë i Bardhit:

Fyerja ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar ato si “idiotë”, nuk mund të jetë kurrë një çështje e tejkaluar, pa mbajtur përgjegjësi politike. Ky cilësim nga ministri përgjegjës për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë, vjen në një kohë ku shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po përballen me shumë sfida dhe përbën një shkelje të rëndë të detyrimeve kushtetuese që kanë autoritetet shqiptare në Republikën e Shqipërisë, ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufirit shtetërorë.

Mungesa e reflektimit nga ana e Ministrit Ferit Hoxha, nuk mund të kalohet me takime të stisura, ku mysafirët as nuk lejohen të përgjigjen lirisht. Fillimisht gënjeu që sms ishte e fabrikuar, më pas u detyrua të fshinte, më pas të dilte nga grupi në Whatsapp, dhe sot kishte stisur një takim për të bindur shqiptarët se është një çështje e tejkaluar. Të gjitha këto veprime konfirmojnë se është duke vepruar nën panik dhe nën peshën e përgjegjësisë së munguar.

Akoma më shqetësuese është heshtja e Kryeministrit Edi Rama, duke provuar se cilësimi i Ministrit Ferit Hoxha ndaj shqiptarëve nuk është personal, por linjë shtetërore e qeverisë së Edi Ramës. Kjo është më shumë se e papranueshme.

Ministri Ferit Hoxha do të thirret në Kuvend për të dhënë llogari mbi qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve përtej kufirit, që përkon te jetë i njëjtë me qëndrimin e Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç ndaj shqiptarëve. Në krye të Ministrisë për Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nuk mund të qëndrojë asnjë minut as Nikolla Pashiqi dhe as Vasa Çubrilloviçi, pavarësisht se në publik prezantohet si Ferit Hoxha apo Edi Rama!/ Zoom.al

Postime të lidhura