Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar lajmet në lidhej me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, për refugjatët në kampin e Gjadrit, duke u shprehur i prerë se pakti do të vijojë ‘për sa kohë vendi fqinj do të dojë’.
“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, të cilët po kontaktojnë në lidhje me një citim mashtrues të raportuar nga një media pas një interviste me ministrin e Jashtëm shqiptar: Më lejoni të përsëris, qartë dhe me shpresë njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia do ta dojë atë” shkruan Rama në reagimin e bërë.
Reagimi i kryeministrit të Shqipërisë vjen pas raportimeve të lajmeve ku raportohet se ministri i jashtëm Ferit Hoxha pretendohet se ka thënë se Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e saj të migracionit me Italinë përtej vitit 2030.
“Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian. Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogaritje”, tha Hoxha, në intervistën e dhënë në Euractiv.com.
Mirëpo, Rama shkruan se citimi i diplomatit është shtrembëruar dhe lajmeve u është dhënë totalisht një kuptim tjetër që kanë çuar në keqkuptim.
Në reagimin e tij kreu i qeverisë shqiptare theksoi se bashkëpunimet me Italinë do të vijojnë për aq kohë sa shteti fqinj të dëshirojë.