zoom

Lajme

Ministri: Shqipëria nuk do e rinovojë marrëveshjen e Gjadrit me Italinë!

Ministri: Shqipëria nuk do e rinovojë marrëveshjen e Gjadrit me Italinë!

Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e migracionit me Italinë përtej vitit 2030. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, në një intervistë për Euractiv.

Marrëveshja mes dy vendeve, e ratifikuar në fillim të vitit 2024, parashikon përdorimin e dy objekteve në Gjadër dhe Shëngjin nga qeveria italiane për strehimin dhe paraburgimin e emigrantëve që nuk kanë arritur të fitojnë azil në Itali.

Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve më të gjera të disa qeverive europiane për të zhvendosur jashtë kufijve të tyre menaxhimin fizik të emigrantëve.

Sipas Hoxhës, marrëveshja është parashikuar të zgjasë pesë vite dhe nuk pritet të rinovohet pas përfundimit të saj në vitin 2030, afat që përkon edhe me objektivin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Është një marrëveshje pesëvjeçare dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë zgjatje. Në fakt, nuk do të ketë zgjatje sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se, me hyrjen e Shqipërisë në BE, marrëveshja humbet natyrën “ekstraterritoriale”, pasi territori shqiptar do të konsiderohet territor i Bashkimit Europian.

“Të gjithë kanë bërë të njëjtën llogaritje. Sapo Shqipëria të anëtarësohet, kjo nuk është më ekstraterritoriale, por territor i Bashkimit Europian”, u shpreh ministri.

Marrëveshja ka shkaktuar debate të forta politike dhe juridike në Itali. Fillimisht, qeveria e kryeministres Giorgia Meloni planifikoi përdorimin e qendrave në Shqipëri si struktura për përpunimin e kërkesave të azilit, por për shkak të sfidave ligjore në Itali, objektet u ripërdorën si qendra paraburgimi për emigrantët me kërkesa të refuzuara, të cilët presin riatdhesimin.

Megjithatë, në prill të këtij viti, marrëveshja mori një mbështetje të rëndësishme juridike në nivel europian, pasi një avokat i përgjithshëm pranë Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian dha një opinion jo-detyrues se skema është në përputhje me ligjin e BE-së.

Hoxha theksoi se Shqipëria nuk është tërhequr nga marrëveshja, pavarësisht debateve dhe kundërshtimeve ligjore.

Ministri Hoxha ndodhej në Bruksel për një takim të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ku e përshkroi Shqipërinë si një partner të besueshëm për Italinë.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar më herët partneritetin me Italinë si “ekskluziv”, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.

Hoxha hodhi poshtë edhe pretendimet se Italia mund të pengojë integrimin europian të Shqipërisë për të ruajtur funksionimin e kampeve të emigrantëve në territorin shqiptar.

Postime të lidhura