zoom

Të gjitha

Përgjimet e Elvis Demçes në Romë: “Dua të punoj me pasardhësit e Eskobarit”

Përgjimet e Elvis Demçes në Romë: “Dua të punoj me pasardhësit e Eskobarit”

Ambiciet dhe projektet e bosit shqiptar të drogës Elvis Demçe në Romë, kalojnë jo vetëm kufijtë italianë, por çdo parashikim të mundshëm. Gazeta italiane, “La Repubblica”, ka publikuar sërish përgjime të tjera këtë të hënë, dhe siç del nga bisedat që janë përmbledhur në një raport të hollësishëm të autoriteteve ligjzbatuese, 36-vjeçari transmeton të gjithë fuqinë ndërkombëtare dhe synimet ekspansioniste të grupit që drejton, i cili u godit janarin e kaluar nga policia italiane.

“Kivi” nga Ekuadori, marrëveshjet me kupolën ushtarake marokene, marrëveshjet me “Kartelin e Gjirit” në Kolumbi, kontejnerët plot drogë që mbërrijnë në portin kalabrez të Gioia Tauros, nderimi për bosin Raffaele Cutolo dhe stemat e fisnikëve të zgjedhura si foto profili për të treguar përkatësinë ndaj asaj që ata vetë e përcaktojnë si “aristokraci e botës së krimit”: kjo është bota që vjen përtej Adriatikut e bosit shqiptar të drogës në Romë.

Është 20 janari i vitit 2021 dhe në telefonin e shqiptarit vjen një sms. Është komunikimi nga kontakti në Marok, të cilin e quanin “hermano”: “Do të shpjegoj pak për të të mbajtur të informuar mbi nivelin e këtij operacioni, – shkruhet. – Ky operacion kontrollohet dhe autorizohet nga kupola ushtarake. Drejtori i portit dhe tranzitori janë thirrur për të marrë urdhra për trajtimin e kontejnerëve që shkojnë në Gioia Tauro! Ato nuk do të kontrollohen”.

Ngarkesat mbërrijnë në Kalabri. Ashtu si ato kolumbiane, të njëjtit që kanë “punishtet më të forta në Kolumbi, trembin për mënyrën se si ato organizohen, por ti nuk e shesh në fakt se çfarë perlash bëjnë ata”, shkruan Demçe, duke thënë se ai aspiron të punojë me “trashëgimtarët e Pablos (Eskobarit).

“Janë ata të Kartelit të Medelinit në majë të gjithçkaje. Janë ata që kontrollojnë të gjithë guerilët në pyjet e thella të Amazonës”.

Sipas përgjimeve të autoriteteve italiane, Demçe thekson se paratë nuk janë gjithçka, “gjithmonë do më mungonte diçka, sepse jam një kriminel nga brenda”, thotë ai, “edhe me një kostum 100 milionësh dhe kravatë super të shtrenjtë, një bandit mbetem gjithmonë, dhe kurrë nuk do të doja të jetoja dhe të mendoja si i mirë, si një i krishterë”.

Ai nuk do të donte kurrë të jetonte si një “i mjerë i vogël që kalon jetën në tokë thjesht duke konsumuar ajër”.

Mitet e tij të trafikut të drogës, janë të tjerë, si Raffaele Cutolo, të cilin ai e lavdëron në ditën tij të e vdekjes.

“Ky njeri i madh sot ka vdekur. Që në vitin 1979 ka qenë i burgosur”, shkruan ai, duke kujtuar refuzimin e shefit të Camorra-s për të bashkëpunuar me drejtësinë.

“Ai u përgjigj se jam mësuar që qëndroj pas hekurave dhe qelisë dhe me mungesën e takimeve me familjen time dhe kjo për mua është Ok! Më jep më shumë dashuri të vdes mes hekurave dhe portave të qelisë me dinjitet, sesa mes luksit dhe turpit”, – ka vijuar Demçe.

Një ditë më parë, gazeta “Repubblica”, publikoi përgjime të tjera të Demçes, ku synonte të vriste sipërmarrësin Tonino Lucianin dhe partnerin e tij, të cilët kishin interesa në kompani ndërtimi, skela dhe në klubin e futbollit Cavese.

Planin për sulmin ndaj tyre, ai e kishte menduar ta bënte pikërisht duke i sulmuar në shtëpi me një armë bazuka.

“Po kur do t’ia japim goditjen këtyre të padenjëve?” pyet Demçe një nga “ushtarët” e tij, Francesco “Bigis” Bastianelli, duke ia nisur madje në chat  foton e objektivave të tij.

Elvis Demçe është arrestuar gjatë një operacioni anti-drogë në janar të këtij viti në Romë dhe sipas policisë italiane konsiderohet jo vetëm një nga trafikantët më të mëdhenj, por edhe më i rrezikshmi, duke parë brutalitetin me të cilin ka ndëshkuar viktimat e tij në larjen e hesapeve për luftën në trafikun e lëndëve narkotike, si në rastin me trafikantin tjetër, Ermal Arapaj në një “gomorra shqiptare”.

Demçe, i cili njihej edhe me nofkën “Spartacus”, ishte një njeri shumë i afërt me Fabrizio Piscitelli-n, lideri i një tifo-grupi të Lacios në Romë.

Piscitelli njihej me nofkën “Diaboliku” dhe u vra në gusht 2019 nga vrasës të dyshuar si shqiptarë. Prej vdekjes së tij, shumë gjëra janë trazuar në Romë dhe kanë pasuar me ekzekutime të tjera mafioze dhe në arrestime të ndryshme./La Repubblica