zoom

Aktualitet

Përgjaken rrugët/ Dy viktima dhe dy të plagosur rëndë (EMRAT+VIDEO)

Përgjaken rrugët/ Dy viktima dhe dy të plagosur rëndë (EMRAT+VIDEO)

Tre aksidente të rënda kanë ndodhur brenda pak orësh në vend, duke lënë dy viktima dhe dy të plagosur rëndë.

Në Fushë-Krujë, një 18-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një makinë. I riu, i identifikuar si Irdi Laci, kishte ndaluar në rrugë dhe po përpiqej të shtynte makinën që kishte pësuar defekt.

Në këtë moment, ai është përplasur nga një makinë tjetër, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup. 18-vjeçari humbi jetën në spitalin e Traumës.

Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit në fshatin Libofshë të Fierit, një 62-vjeçar, Xhoxhi Prifti, ndërroi jetë teksa po punonte tokën e tij bujqësore me traktor.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se gjatë punës mjeti bujqësor është përmbysur, duke i shkaktuar viktimës vdekje të menjëhershme. Policia është njoftuar menjëherë dhe ka mbërritur në vendngjarje, ku po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar rreth orës 10:00 të kësaj të diele në aksin rrugor Lushnje–Berat, pranë fshatit Çukas. Një automjet me të cilin udhëtonte një çift bashkëshortësh, Bilbil dhe Xhevahire Nure, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, duke lënë të dy të plagosur rëndë.

Dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga një defekt në sistemin e drejtimit të mjetit, pasi timoni dyshohet se është bllokuar gjatë lëvizjes.

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, për t’u dërguar më pas drejt Tiranës për trajtim të specializuar.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po vijon hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit./ Zoom.al

Postime të lidhura