Aplikacion
Një aksident rrugor që përfshiu tre automjete është regjistruar mesditën e së martës në aksin nacional Lushnjë–Berat, në zonën e kryqëzimit të fshatit Kashtbardhë.
Sipas informacioneve paraprake, në ngjarje janë përfshirë një automjet tip “Volkswagen”, një “Mercedes-Benz” dhe një “Ford”. Dyshohet se drejtuesi i mjetit “Volkswagen”, i cili po lëvizte nga drejtimi i Kashtbardhës, ka ndërprerë lëvizjen e automjetit “Benz”, duke shkaktuar përplasjen e parë.
Si pasojë e goditjes, automjeti “Benz” ka devijuar nga korsia e tij dhe ka kaluar në anën e kundërt të rrugës, ku është përplasur me mjetin tip “Ford”, duke sjellë kështu përfshirjen e tre automjeteve në aksident.
Nga kjo ngjarje nuk raportohen persona të plagosur, ndërsa janë shënuar vetëm dëme materiale në mjetet e përfshira.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit./ Zoom.al