Aplikacion
Partia Demokratike ka publikuar të dhënat më të fundit mbi procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të saj, ku kandidat i vetëm është Sali Berisha.
Kryetarja e Komisionit Zgjedhor në PD, Albana Vokshi, bëri të ditur se deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime ka arritur në 28,379 anëtarë në të 77 degët e partisë në vend.
Gjatë deklaratës për mediat, Vokshi u ndal edhe tek numri më i ulët i votuesve krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore në PD. Ajo sqaroi se listat e anëtarësisë kanë kaluar në një proces verifikimi dhe pastrimi, ndërsa shtoi se një pjesë e anëtarëve ndodhen jashtë vendit.
Në këto zgjedhje janë thirrur për të votuar 51 mijë demokratë, më pak se në zgjedhjet e vitit 2021, kur drejtën e votës e kishin 75 mijë anëtarë.
Pyetje: Duke iu referuar proceseve zgjedhore të shkuara, Partia Demokratike ka pasur më shumë anëtarë. Në 2017-ën, për të marrë referencë para 10 vitesh, ka pasur gati 100 mijë anëtarë. Përse u rrudh?
Albana Vokshi: Mendoj që kjo dalje është vetëm për pjesëmarrjen, për procesin e votimit. Me të mbaruar procesi i votimit neve do t’ju japim të gjitha sqarimet për numrin e votuesve të Partisë Demokratike që kanë të drejtë vote dhe janë ftuar sot. Kjo do të thotë që janë punuar listat, janë pastruar listat.
Një pjesë janë larguar në diasporë, por do t’ju japim të gjitha detajet e nevojshme. Pra, jemi transparentë deri në fund, ju kemi dhënë një numër siç është sot. Nesër mund të rritet ai numër sepse ka anëtarësime të reja, mund të zvogëlohet sepse ikin nga diaspora.
Pra, është “working progress”, por sot është ky numri i cili është ftuar për të votuar për referendumin, për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike”./ Zoom.al