zoom

Lajme

Mbyllet votimi në PD, nis numërimi i votave

Mbyllet votimi në PD, nis numërimi i votave

Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike është mbyllur në të gjitha degët e vendit, ndërsa tashmë ka nisur edhe faza e numërimit të fletëve të votimit.

Sipas njoftimeve zyrtare nga përfaqësues të procesit, votimi u përmbyll në orën 19:00, pas një vendimi për zgjatjen me një orë në disa njësi të mëdha ku vijonte ende fluksi i anëtarëve që ushtronin të drejtën e tyre të votës. Fillimisht, procesi ishte parashikuar të mbyllej në orën 18:00.

Deputeti Ivi Kaso bëri të ditur se shtyrja e afatit u vendos për degët më të mëdha, veçanërisht në Tiranë dhe në disa qendra qarku, për t’u dhënë mundësi të gjithë anëtarëve të përfshiheshin në proces.

“Jam këtu përpara jush për të ndarë një komunikim në emër të Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale. Sikurse e dini, edhe me vendim të KOKOE-s është parashikuar ora 18:00 si orari i mbylljes së procesit të zgjedhjeve të ditës së sotme.

Si pasojë e disa kërkesave që kanë ardhur pranë KOKOE-s nga disa degë të mëdha, sikurse është edhe dega 2 që voton këtu në seli, KOKOE ka marrë vendim që për këto degë të mëdha, të cilat, në të cilat ka fluks votimi dhe presin fluks që të vazhdojë edhe mbas orës 18:00, procesi të qëndrojë i hapur deri në orën 19:00 për këto degë të mëdha, në mënyrë që t’u jepet mundësia të gjithë demokratëve që të votojnë dhe të shprehin pëlqimin e tyre për procesin e rikonfirmimit të kryetarit të partisë.

Është proces i cili është drejt përfundimit në disa degë të vogla, të cilat e kanë ezauruar procesin për shkak të kohëzgjatjes së tyre. Por veçanërisht në degët qendër qarku si dhe në disa degët më të mëdha të Tiranës, të cilët kanë një numër të lartë votuesish, është parashikuar mbas komunikimit të tyre me KOKOE-n, është marrë vendim përkatësisht për çdo degë, që ky proces të mbyllet në orën 19:00.

Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë demokratëve të degëve të mëdha të Tiranës si dhe të degëve veçanërisht të qendrës së qarkut, të qarqeve më të mëdha të cilat kanë kërkuar që procesi të zgjatet deri në orën 19:00, që të dalin dhe të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën dhe detyrimin e tyre statutor për të votuar në procesin e sotëm”, u shpreh Kaso.

Votimi nisi në orën 08:00 të mëngjesit dhe u zhvillua përgjatë gjithë ditës në të gjitha strukturat e partisë në vend. Ndërsa në disa degë më të vogla procesi u mbyll më herët për shkak të përfundimit të pjesëmarrjes, në zonat me numër më të lartë votuesish ai vijoi deri në orarin e ri të përcaktuar.

Pas mbylljes së kutive, komisionet përkatëse kanë nisur menjëherë numërimin e votave, nga i cili pritet të dalë rezultati për rikonfirmimin e drejtuesit të partisë./ Zoom.al

Postime të lidhura