Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se do të vazhdojë të jetë aktiv në politikë dhe se synon të drejtojë opozitën edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.
Gjatë një konference për mediat, pas rikonfirmimit në krye të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh me bindje se mosha nuk do ta pengojë në angazhimin politik. Ai solli si shembull një mik të tij, i cili sipas tij kishte marrë drejtimin e qeverisë në moshën 95-vjeçare.
“Një mikun timin, mik të shquar të them të vërtetën, e kanë uruar kryeministër kur ai ishte 95 vjeç. Dhe po të lexosh për të atij, ai i drejtoi me sukses të plotë atë qeveri. Po a do jem unë si ai, kjo varet nga i madhi Zot dhe demokratët. Gjer tani të garantoj që po t’i pjesëtosh për dy moshën time, merr të vërtetën e saj”, deklaroi Berisha, duke lënë të kuptohet se synon të mbetet figura kryesore e opozitës edhe në vitet e ardhshme. Aktualisht Berisha është 81 vjeç.
Në fokus të deklaratave të tij ishte edhe vizita në Tiranë e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, si dhe debati për marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Berisha mbrojti edhe një herë marrëveshjen e vitit 2009 të arritur gjatë qeverisjes së tij, duke theksuar se ajo ishte më e favorshme për Shqipërinë sesa situata aktuale. Sipas tij, ekspertë ndërkombëtarë kishin vlerësuar se marrëveshja mund të përmirësohej, por jo të hidhej poshtë tërësisht.
Ai deklaroi se pas rrëzimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, qeveria e tij kishte propozuar që çështja të zgjidhej në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës./ Zoom.al