zoom

Ide & Blog

Pazari i Ramës me kufirin detar të hetohet urgjentisht nga SPAK si tradhti kombëtare!

Pazari i Ramës me kufirin detar të hetohet urgjentisht nga SPAK si tradhti kombëtare!

Nga Petrit Vasili

Tashmë skenari i tradhtisë kombëtare të Edi Ramës me kufirin detar po shfaqet gjithnjë e më i plotë.

SPAK s’ka nga të lëvizë më dhe duhet të hapë e të kryejë një hetim shembullor, të thelluar dhe me përgjegjësinë më të lartë publike dhe ligjore për këtë situatë kaq të rëndë, me përgjegjës të vetëm Edi Ramën.

Dje gazeta e njohur Protothema citon burime të larta nga Ministria e Jashtme greke që thonë:
🚩 “Delimitimi i Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë nuk është më ndër prioritetet e menjëhershme të diplomacisë greke, veçanërisht pas marrëveshjeve që janë arritur tashmë me vende të tjera në rajon, si Italia, por edhe zgjerimit të ujërave territoriale greke në Detin Jon.”

Edi Rama tha pardje në Greqi se:
🚩 “Tashmë kemi një marrëveshje me qeverinë greke për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare. Kështu do të bëhet dhe pastaj i takon gjykatës të vendosë. Ambicia jonë është që të përfundojë brenda këtij viti dhe që vjeshtën e ardhshme ne të deklarojmë që kemi dakordësi për të gjitha çështjet.”

PARASHTRIM:

Gjithçka po zhvillohet në prapaskenë me kufirin detar dhe me logjikën e faktit të kryer po konsumohet qartazi një tradhti e madhe kombëtare me përmasa dramatike.

Çështja e kufirit detar është shembulli më dramatik se si një narkoqeverisje trajton problemet madhore me rëndësi kombëtare.

Shumë veprime të Ramës janë bërë të njohura vetëm nga mediat greke, po ashtu si dikur në vitin 2022 u bë e njohur nga mediat greke deklarata tepër e rëndë e ministrit të Jashtëm Dendias në atë kohë, ku sipas bisedës së tij me Ramën pritej vetëm largimi i Presidentit Meta, i cili ishte pengesa kryesore për të çuar përpara zgjidhjen e çështjes së kufirit detar përmes Gjykatës së Hagës.

SPAK mjafton të kërkojë përgjigjen e Edi Ramës për pyetjet e mëposhtme për të zbardhur përgjegjësinë e rëndë të tij për kufirin detar:

Cila është përmbajtja e marrëveshjes politike të arritur në tetor 2020 dhe të deklaruar nga ministri grek Dendias, dhe përse nuk është bërë asnjëherë publike kjo marrëveshje?

Përse marrëveshja politike me Greqinë nuk u çua as te Presidenti Meta dhe as në Kuvendin e Shqipërisë?

Përse është vendosur një zgjidhje që e vendos Shqipërinë në disavantazh të qartë?

Përse janë kapërcyer institucionet kushtetuese?

Përse Edi Rama ka informuar në mënyrë të pavërtetë Qeverinë e Greqisë?

Përse janë alokuar 1.5 milion dollarë për konsulencë pa plotfuqishmëri?

Cili është grupi negociator? Kush e ka mandatuar këtë grup?

Përse është mbajtur i fshehtë përbërja e tij? Çfarë ndodhi me grupin e vitit 2018? A përfunduan negociatat?

Cilat ishin arsyet e ndërprerjes? A ka qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese udhërrëfyes?

Cilat janë shkaqet e mosarritjes së marrëveshjes?

Përse nuk u bë publike marrëveshja e planifikuar me qeverinë greke të Tsipras? Përse mungon transparenca?

A është diskutuar zgjerimi i ujërave greke në 12 milje? A është mbledhur grupi për këtë çështje?

Përse janë bërë deklarime publike për këtë zgjerim? Përse nuk janë përfshirë ekspertë të fushës? Përse nuk është reaguar zyrtarisht ndaj Greqisë?

Përse nuk është kundërshtuar korniza negociuese e BE-së?

    PËRFUNDIM:

    SPAK nuk mund t’i bishtnojë më hetimit të kësaj çështjeje madhore që ka të bëjë me një tradhti kombëtare të përmasave kritike në çdo pikëpamje.

    SPAK me mosveprimet e tij inkriminon veten përballë një çështjeje që ka të bëjë me kufijtë shtetërorë të Shqipërisë.

    SPAK do të mbahet përgjegjës përballë kësaj çështjeje dhe ajo duhet të hetohet me çdo kusht./ Zoom.al

    Postime të lidhura