Aplikacion
Çmimet e naftës u rritën lehtë të martën, ndërsa tregu po balanconte pritshmëritë për furnizim të bollshëm global gjatë këtij viti me pasigurinë rreth prodhimit të naftës venezueliane, pas rrëmbimit nga SHBA të presidentit Nicolás Maduro, raporton Reuters.
Kontratat Brent u rritën me 0.5%, ose 30 cent, në 62.06 dollarë për fuçi deri në orën 09:30 GMT, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) i SHBA-së u tregtua në 58.57 dollarë për fuçi, në rritje me 0.4%, ose 25 cent.
“Është herët për të vlerësuar ndikimin e kapjes së Nicolás Maduro-s në bilancin e naftës. Megjithatë, ajo që duket e qartë është se furnizimi me naftë do të jetë i mjaftueshëm në vitin 2026, me ose pa rritje të prodhimit nga anëtari i OPEC,” tha për agjencinë analisti i PVM Oil, Tamas Varga.
Presioni mbi çmimet mund të përforcohet nga rrëmbimi i Maduro-s, duke rritur gjasat për një fund të embargos amerikane ndaj naftës venezueliane dhe potencialisht duke çuar në rritje të prodhimit.
“Ne vlerësojmë vetëm 300,000 fuçi në ditë furnizim shtesë brenda dy deri në tre viteve, me shpenzime inkrementale të kufizuara. Një pjesë e kësaj mund të financohet organikisht nga kompania shtetërore venezueliane e naftës PDVSA, por për të bërë të mundur 3 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2040 do të nevojitet angazhim i kapitalit ndërkombëtar,” tha Janiv Shah, analist në Rystad Energy.
Administrata e Donald Trump planifikon të takohet këtë javë me drejtues të kompanive amerikane të naftës për të diskutuar rritjen e prodhimit të naftës në Venezuelë, tha për Reuters një burim i njohur me çështjen. /Zoom.al