Aplikacion
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka paraqitur Kuvendit të partisë gatishmërinë për t’u tërhequr nga drejtimi i saj, duke kërkuar që delegatët të vendosin për vazhdimin e mandatit të tij.
Gjatë fjalës së mbajtur në hapje të punimeve të Kuvendit, ai u është drejtuar anëtarëve me mesazhin se do të pranojë pa kundërshtim çdo vendim që do të merret për rolin e tij në krye të LDK-së. Sipas Abdixhikut, rezultati që e çoi partinë në këtë situatë nuk është pasojë e një ngjarjeje të vetme, por e një procesi të gjatë dobësimi të mbështetjes.
Mbledhja e Kuvendit u thirr pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku LDK siguroi 13.24% të votave, një nga rezultatet më të dobëta në historinë e saj pas luftës.
Brenda partisë ka pasur edhe zëra që kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Abdixhikut. Mes tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares dhe ka kërkuar që i njëjti hap të ndiqet edhe nga kreu i partisë.
Abdixhiku theksoi se Kuvendi është autoriteti më i lartë vendimmarrës i LDK-së dhe se procesi aktual duhet të shërbejë për forcimin e unitetit të brendshëm. Ai u shpreh se, pavarësisht debatit, partia duhet të dalë më e bashkuar për sfidat e ardhshme.
Sipas agjendës zyrtare, pas fjalimit të tij diskutimet vijojnë me dyer të mbyllura. Ndërkohë, ish-kryeministri Avdullah Hoti ka shpallur më herët kandidaturën për drejtimin e partisë, megjithëse disa drejtues kanë sqaruar se aktualisht fokusi është vetëm në vlerësimin e drejtimit aktual dhe jo në garën për kryetar.
Zyrtarë të LDK-së kanë theksuar se nëse Abdixhiku paraqet dorëheqje formale, ajo konsiderohet akt individual dhe i menjëhershëm, ndërsa në rast se kërkon votëbesim, procedura do të zhvillohet përmes votimit të fshehtë sipas statutit të partisë./ Zoom.al