Aplikacion
SPAK ka zgjeruar hetimet që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke thirrur për marrje në pyetje një sërë personash që kanë pasur lidhje pune apo biznesi me të, pas kontrolleve të zhvilluara më herët në zyra, banesa dhe prona luksoze në jug të vendit.
Prokurorët kanë marrë deklarime nga ish-zyrtarë të lartë të administratës, bashkëpunëtorë të afërt të saj, si dhe disa biznesmenë që kanë përfituar ose kanë qenë të përfshirë në procedura tenderuese nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës, sipas Balkanweb.
Ndër personat e thirrur është edhe Viola Haxhiademi, ish-sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Financave dhe aktualisht drejtuese në sektorin energjetik, e cila ka dhënë shpjegime mbi rolin e saj në institucione dhe kontaktet me strukturat e dikurshme drejtuese.
Gjithashtu, është pyetur edhe Laureta Omeri, e njohur si një nga bashkëpunëtoret më të afërta të ish-zv.kryeministres, e cila ka qenë subjekt i kontrolleve gjatë operacionit hetimor.
Në listën e personave të marrë në pyetje figurojnë edhe biznesmenë të ndryshëm, përfshirë Arbër Abazin, i lidhur me kompani që kanë marrë pjesë në tendera publikë, si dhe Kujtim Hasa, përfaqësues i një firme ndërtimi, i cili ka dorëzuar pajisje elektronike dhe dokumente që po analizohen nga hetuesit.
Po ashtu, SPAK ka pyetur edhe persona të stafit mbështetës, si shoferë dhe punonjës shtëpie, të cilët janë marrë në pyetje për të dhënë detaje mbi lëvizjet dhe rutinën e përditshme të ish-zyrtares.