zoom

Aktualitet

Operacion antidrogë në Elbasan: 16 të ndaluar, 8 në kërkim! Sekuestrohen kanabis dhe kokainë

Operacion antidrogë në Elbasan: 16 të ndaluar, 8 në kërkim! Sekuestrohen kanabis dhe kokainë

Një operacion kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike është zhvilluar në qarkun e Elbasanit, ku janë lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi.

Sipas të dhënave zyrtare, janë ekzekutuar 16 prej tyre – 8 gjatë aksionit të sotëm dhe 8 të tjera përgjatë hetimeve njëvjeçare. Ndërkohë, 8 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur në banesë.

Gjatë operacionit të zhvilluar në Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas, janë ndaluar shtetasit me iniciale I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç.

Po ashtu, është arrestuar në flagrancë një 39-vjeçar (R. H.), ndërsa është kapur edhe një person në kërkim (P. Q., 54 vjeç), i shpallur më herët nga Gjykata e Durrësit për një tjetër vepër penale.

Gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të ndryshme janë sekuestruar rreth 9 kilogramë lëndë e dyshuar kanabis, një pjesë e ndarë në doza për shitje, rreth 100 gram kokainë, gjithashtu e ndarë në doza, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 telefona celularë.

Hetimet për këtë rast kanë zgjatur rreth një vit dhe janë shtrirë në disa qytete të qarkut. Autoritetet vijojnë punën për kapjen e personave në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Postime të lidhura