Aplikacion
Një operacion i zhvilluar nga autoritetet në Maliq ka çuar në zbulimin e një ambienti të përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike, i ndërtuar në mënyrë të fshehtë poshtë një koteci pulash në fshatin Vreshtas.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Korçë, gjatë operacionit u arrestua një person i dyshuar për përfshirje në aktivitetin kriminal, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Hetuesit zbuluan se hyrja në ambientin e fshehtë realizohej përmes një hapësire të improvizuar, që të çonte në një dhomë të ndërtuar nën tokë. Sipas autoriteteve, objekti ishte organizuar në mënyrë profesionale dhe ishte pajisur me sisteme ventilimi, ndriçimi, ngrohjeje dhe ujitjeje për kultivimin e bimëve narkotike.
Brenda hapësirës u gjetën zona të posaçme për tharjen e kannabisit, ndërsa policia sekuestroi rreth 5.4 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike në forma të ndryshme, përfshirë sasi në proces tharjeje dhe doza të paketuara.
Po ashtu u sekuestruan pajisje të ndryshme të përdorura për kultivimin dhe përpunimin e drogës, si llampa elektrike, ventilatorë, peshore elektronike dhe vazo. Gjatë kontrollit u gjet edhe një armë në formën e një pistolete me bombol gazi të kompresuar.
Nga verifikimet paraprake rezultoi gjithashtu se ambienti furnizohej me energji elektrike përmes lidhjes së paligjshme me rrjetin shpërndarës./ Zoom.al