Aplikacion
Një ditë pasi një polic, Enea Mekolli, ra në krye të detyrës gjatë një operacioni në Maliq, duke u vrarë me armë nga i kërkuari Violand Braçellari, këtë të enjte një tjetër efektiv i Policisë Rrugore është sulmuar në Tiranë.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur pranë një qendre tregtare, aty ku efektivi i policisë po menaxhonte lëvizjen e këmbësorëve në vijat e bardha për të garantuar kalimin e sigurt të tyre.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, polici ka treguar se papritur, një person i është afruar nga pas dhe i ka vendosur një mjet prerës në zonën e qafës.
“Fillimisht nuk arrita ta kuptoja se kush ishte personi, pasi nuk e njihja. Sapo pashë se më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e neutralizova duke e kapur me duar”, mësohet të ketë deklaruar efektivi.
Pas ndërhyrjes së policisë, autori, i identifikuar si Dorjan Kasa, është shoqëruar dhe më pas arrestuar. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ai nuk ka pranuar të japë shpjegime lidhur me motivet e ngjarjes apo arsyet që e shtynë të sulmonte efektivin.
Fatmirësisht, nga përplasja nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërkohë, hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes./ Zoom.al