Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për operacionin tragjik në Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri, gjatë përpjekjes për arrestimin e 43-vjeçarit Violand Braçellari.
Burime hetimore bëjnë me dije se gjatë kontrollit të ambientit ku fshihej Braçellari, policia ka sekuestruar armën kallashnikov që dyshohet se u përdor në sulmin ndaj efektivëve, si dhe një sasi të konsiderueshme municioni luftarak.
Po ashtu, gjatë kontrolleve janë gjetur radio-komunikimi të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit, dylbi dhe disa dronë, të cilët janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar nëse janë përdorur për të monitoruar lëvizjet e forcave të rendit.
Sipas të njëjtave burime, vetëm një ditë para ngjarjes së rëndë, më 3 qershor, Braçellari ishte kallëzuar në polici nga një çoban që kishte rreth 15 ditë që punonte në stallat e tij. Ky i fundit ka deklaruar se ishte kërcënuar me jetë nga 43-vjeçari, pasi i kishte kërkuar pagesën për punën e kryer.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe të shkuarën e tij. Mësohet se në vitin 2004, në moshën 21-vjeçare, Braçellari ishte paraqitur për të kryer shërbimin në Forcat e Armatosura, por kishte qëndruar vetëm tre ditë dhe më pas ishte larguar, duke u bërë objekt i një procedimi.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni për kapjen e tij u zhvillua mëngjesin e 4 qershorit në malin Boden, ku 43-vjeçari ishte lokalizuar pas informacioneve operative. Pasi efektivët rrethuan stanin ku ai fshihej dhe i bënë thirrje të dorëzohej, Braçellari hapi zjarr në drejtim të tyre, duke lënë të vrarë inspektorin Enea Mekolli dhe duke plagosur efektivin Edison Adri. Pas shkëmbimit të zjarrit, 43-vjeçari u plagos dhe u vu në pranga.