Aplikacion
Vendimi i kryeministrit Edi Rama për të bërë pjesë të kabinetit qeverisës edhe një ministër artificial, të krijuar nga inteligjenca dhe të quajtur “Diella”, ka ndezur një valë reagimesh të ashpra në rrjetet sociale, ku qytetarët nuk i kanë kursyer ironitë dhe kritikat.

Shumë përdorues e cilësojnë vendimin si një veprim të bërë thjesht “për sy të botës”, pa sjellë asnjë përfitim real për qytetarët.
“Ti z. Kryeministër e bën këtë thjesht për t’u dukur. Ka shumë gjëra më të rëndësishme në Shqipëri për t’u bërë, sesa me i ra në sy botës”, shkruan një komentues, duke e krahasuar situatën me fenomenin e shqiptarëve që blejnë makina luksoze, por nuk kanë para për naftë.
Një tjetër përdorues është edhe më i drejtpërdrejtë: “Me pak fjalë, nami jashtë e p*rdha brenda”*, koment që ka marrë dhjetëra pëlqime në pak orë.

Ironia vazhdon edhe në linjën e akuzave për korrupsion.
“Shumë bukur, kështu kur të jetë gati për prangat, arrestoni kompjuterin, që të dali prapë në gazetat e botës se kompjuteri u fut brenda, jo ju”, shkruan një komentues tjetër.



Ndërkohë, nuk mungojnë as teoritë e mbushura me sarkazëm: “Më shumë se Diella, e rëndësishme është kush e programoi, çfarë komandash i janë dhënë dhe kush e supervizon. Një ‘Diell’ i paprekshëm do të ishte gjëja më djallëzore dhe gjeniale njëkohësisht”, shprehet një përdorues, duke e parë gjithë veprimin si një projekt të kontrolluar nga jashtë.

Sipas vendimit të Ramës, Diella do të ketë në dorë prokurimet publike./ Zoom.al