Aplikacion
Në prag të përfundimit të mandatit të saj si deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Monika Kryemadhi ka filluar të sulmojë eksponentë të Partisë së Lirisë dhe të zbulojë detaje për figura me peshë në këtë parti.
Në një intervistë të fundit në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, Monika Kryemadhi sulmoi ashpër Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, duke e akuzuar për shkatërrimin e partisë dhe përfitime personale në kurriz të saj.
Kryemadhi deklaroi se Blushi është “njeriu më i lumtur në botë sot”, duke theksuar se ai është bërë deputet, bashkëshortja e tij është drejtoreshë në Ministrinë e Drejtësisë, dhe vjehrri i tij është nëndrejtor në spitalin e burgut.
Ajo shtoi se Blushi ka përfituar tri shtëpi, ndërkohë që më parë ishte pa shtëpi, duke e lidhur këtë pasurim me shkatërrimin e partisë.
“Tedi Blushi është njeriu më i lumtur në botë sot. Deputet është, gruan e ka drejtoreshë te Ulsi Manja, vjehrrin e ka nëndrejtor te spitali i burgut. Me tri shtëpi është sot, kur ka qenë pa shtëpi.
Nuk ia ka bërë pushteti këto shtëpi, por shkatërrimi i partisë. Tedi Blushi e shkatërroi partinë”, tha Kryemadhi./ Zoom.al