Aplikacion
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër në lidhje me zgjedhjet e 11 majit, duke i cilësuar ato si një proces të manipuluar dhe të shoqëruar me presion sistematik ndaj qytetarëve.
Në një intervistë për “News 24”, Blushi e quajti situatën “terrorizëm elektoral”, ndërsa paralajmëroi një vetëpastrim të thellë brenda forcës politike që përfaqëson.
Sipas Blushit, gjatë fushatës zgjedhore është përdorur masivisht administrata publike dhe qytetarët janë kërcënuar me vendin e punës për të ndikuar votën.
“8000 heronj kanë votuar për Ilir Metën në kushte presioni e shantazhi”, u shpreh ai, duke shtuar se PL është në proces analize të rezultatit dhe këtë javë do të përmbyllë vetëvlerësimin e brendshëm.
Blushi komentoi edhe pjesëmarrjen e Monika Kryemadhit në fushatën elektorale, duke e cilësuar si një “shaka të madhe”. Ai kritikoi faktin që, sipas tij, ndërkohë që Kryemadhi ftonte qytetarët të votonin për Ilir Metën, sulmonte bashkëpunëtorët më të afërt të tij.
Zgjedhjet e 11 majit ishin terrorizëm elektoral. Ka pasur kërcënime për largim nga puna dhe është përdorur masivisht administrata publike. Partia e Lirisë ka nisur analizën e rezultatit. Nuk doja të flisja për temën e fushatës, është shaka e madhe që ndërkohë që fton njerëzit që të votojnë Metën, godet bashkëpunëtorët e tij më të afërt. 8000 heronj në kushte të vështira presioni e shantazhi votuan për presidentin Ilir Meta.
Partia e Lirisë do të vetëpastrohet nga ata individë që kanë përfituar prej saj dhe prej Metës, por sot janë pranë Edi Ramës. Këta njerëz i kanë marrë fytyrën vetes së tyre”, deklaroi Blushi, duke theksuar se votat e PL nuk janë “tretur”, por janë tjetërsuar. Sipas tij, strukturat e partisë mbeten solide dhe të gatshme për ringritje./ Zoom.al
Braçe përplaset me ministrin e Bujqësisë në Kuvend: TVSH-ja ka shkatërruar blegtorinë