Aplikacion
Në një intervistë të drejtpërdrejtë për emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, Monika Kryemadhi ka folur pa doreza për ndarjen e saj nga Ilir Meta, duke treguar se politika ishte jo vetëm lidhja e tyre, por edhe shkaktarja kryesore e largimit.
E pyetur nga moderatorja Pranvera Borakaj se “kush e ndau Monika Kryemadhin nga Ilir Meta?”, ish-kryetarja e LSI nuk ngurroi të përgjigjej se ishin njerëz të lidhur me politikën, që kërkuan të përfitonin në kurriz të tyre.
“Politika ishte ajo që na lidhi dhe po ajo që na ndau,” – tha Kryemadhi, duke shtuar se ndërhyrjet e individëve të caktuar, që kërkonin mandate deputeti apo afërsi me Ilir Metën, luajtën një rol kyç në prishjen e marrëdhënies së tyre.
“Ka pasur nga ata që mendonin se Monika ua kishte prishur punët, ua kishte shkatërruar karrierën… dhe i përdorën situatat për të ndërtuar të tyret,” – shtoi ajo, duke lënë të nënkuptohet se këto ndërhyrje kanë ardhur si pasojë e rivaliteteve të brendshme dhe ambicieve personale.
E pyetur nëse këta emra ndodhen aktualisht në pozita të sigurta në listat politike, Kryemadhi tha prerë:
“Edhe në vende të sigurta, edhe ata që s’janë. Koha tregoi që kishte shumë, dhe do të ketë akoma. Përdorimi i tyre nga individë të caktuar i hodhi dhe i flaku në rrugë.”