zoom

Blog

Marigona, pasqyra e shoqërisë ku jetojmë!

Vajza ne foto quhet Marigona Osmani. Ajo u la e pajetë në dyert e spitalit të Ferizajt në Kosovë, më 23 Gusht 2020.
Marigona ishte vetëm 18 vjeç dhe bashkëjetonte me një person me të shkuar kriminale, i shfaqur tek ajo dhe familja e saj si dikush që mund t’i ofronte nje jetë më të mirë.
Ndoshta Marigona, në moshë fare të re, u tërhoq nga jeta “luksoze” me makina të bukura që bente personi që premtoi t’i dhuronte një jetë tjetër e që në fakt i mori të sajën.
Ndoshta ajo nuk qe e aftë të shihte se çfarë fshihej nga pas fasadës së luksit, nuk e dalloi dot vrasësin që e joshi me Audin e shtrenjtë.
As prindërit e Marigonës! Ata e kishin vën re që vajza kishte një sjellje të pazakontë dhe ishte mbyllur në vetvete, por e lejuan të jetonte me atë që ajo kishte zgjedhur, edhe pse fare e re, mbase e paaftë për të marrë vendime kaq të rëndësishme. E lanë në duart e dikujt që do ta vriste po me ato duar.

Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë, janë të shumta vajzat që tërhiqen nga djem me të shkuar kriminale dhe që u premtojnë një jetë të lehtë, me të ardhura që nuk vijnë nga puna e ndershme, por nga aktivitete të paligjshme.
Janë të shumta edhe viktimat e këtij modeli të shthurur jetese; vajza të reja që janë masakruar nga të dashurit kriminelë apo që janë vrarë në atentate të organizuar ndaj personave që kanë pasur në krahë.
Janë të shumta ato që në këmbim të një jete më të mirë durojnë dhunën çdo ditë.
Instat thotë se 46.3% e femrave kanë përjetuar dhunë në moshë shumë te hershme 18 -24 vjeç dhe 45.5% ne moshen 25-34 vjeç.
Mjafton “një jetë më e mirë” që shpesh shumë prej tyre të mbyllin gojën përballë dhunës fizike, psikologjike e seksuale.
Ky është modeli që po i vret çdo ditë vajzat shqiptare në një mënyrë apo në një tjetër. Ata që i shpëtojnë vrasjes, e vrasin të ardhmen e tyre çdo ditë duke u tërhequr nga paratë e makinat e shtrenjta që është e dukshme se nga vijnë, pasi pronarët e tyre nuk ushtrojnë asnjë aktivitet të ligjshëm fitimprurës.
Vajza, mos bini pre e ktyre fenomeneve! Ju vleni më shumë se një xhiro në një makinë luksoze apo një shishe shampanjë në një lokal “inn” në zonat e frekuentura nga të rinjtë!
Ju mund të bëheni dikushi pa qenë nevojë për të pasur “mbështetjen” e atyre që i kanë xhepat e mbushur me para që burojnë nga krimi. Mjafton të punon fort çdo ditë!
Ju nuk keni nevojë për një mashkull t’ju tregojë nëse vleni apo jo!
Mos pranoni kurre sjellje te cilat nuk ju bejne te ndiheni komode!
Mos u mashtroni nga fasada e makinave luksoze!
Dhe kurrë mos pranoni dhunën në një mardheënie, sado e rëndësishme t’ju duket ajo! Pas dhunës fshihet vdekja! /Zoom.al