zoom

Lajme

Maran optimist para miqësoreve: Lojtarët janë gati të japin maksimumin, ndeshja me Izraelin do të na testojë

Maran optimist para miqësoreve: Lojtarët janë gati të japin maksimumin, ndeshja me Izraelin do të na testojë

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Rolando Maran, është shfaqur optimist në prag të dy ndeshjeve miqësore që kuqezinjtë do të zhvillojnë gjatë muajit qershor, duke vlerësuar maksimalisht gjendjen dhe përkushtimin e futbollistëve të grumbulluar.

Në konferencën për shtyp të mbajtur së bashku me kapitenin Berat Gjimshiti, tekniku italian foli për atmosferën në skuadër, objektivat e këtyre sfidave dhe rëndësinë që ato kanë për ndërtimin e grupit dhe testimin e lojtarëve.

Maran deklaroi se gjatë ditëve të grumbullimit ka parë një nivel të lartë profesionalizmi dhe gatishmërie nga ana e futbollistëve, duke theksuar se të gjithë lojtarët janë të motivuar për të dhënë maksimumin me fanellën kuqezi.

Sipas trajnerit, këto ndeshje do të shërbejnë jo vetëm për të parë formën aktuale të skuadrës, por edhe për të kuptuar më mirë potencialin dhe forcën e grupit në prag të sfidave të ardhshme zyrtare.

“Kam parë një disponibilitet shumë të madh nga lojtarët gjatë këtyre ditëve. Janë treguar profesionistë të vërtetë dhe kjo është shumë e rëndësishme për një trajner. Duhet të ndërtojmë një skuadër funksionale që di të reagojë mirë në fushë dhe të përballojë ndeshje të nivelit të lartë”, u shpreh Maran.

Tekniku italian u ndal veçanërisht te përballja ndaj Izraelit, të cilën e konsideroi një test serioz për Kombëtaren shqiptare. Ai theksoi se kundërshtari është një skuadër e fortë dhe se ndeshja do të ndihmojë ekipin për të matur nivelin aktual dhe për të fituar më shumë besim.

“Të luash kundër Izraelit nuk është aspak e lehtë. Është një ndeshje që do të na testojë dhe njëkohësisht do të jetë shumë stimuluese për ne dhe për lojtarët”, deklaroi ai.

Maran shtoi se objektivi kryesor mbetet që Shqipëria të zhvillojë ndeshje sa më cilësore dhe të tregojë identitet në fushë, duke insistuar se dëshira dhe motivimi i futbollistëve janë elementët që e kanë bindur më shumë gjatë kësaj periudhe.

Trajneri i kuqezinjve po ashtu la të kuptohet se miqësoret do të shfrytëzohen për të vlerësuar alternativa të ndryshme në formacion dhe për të krijuar një skuadër sa më konkurruese për ndeshjet e ardhshme./ Zoom.al

Postime të lidhura