Aplikacion
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur zyrtarisht përgatitjet për dy miqësoret e muajit qershor. Më 3 qershor kuqezinjtë do të presin Izraelin në “Air Albania”, ndërsa po në Tiranë më 6 qershor do të jetë kundërshtar Luksemburgu.
Ekipi kuqezi është grumbulluar prej të dielës në Tiranë, ndërsa sot në orën 18:00 trajneri i ri Rolando Maran do të drejtojë për herë të parë ekipin. Këtë mesditë nga stadiumi ‘Air Albania’ përpara medieve dolën Myrto Uzuni dhe Juljan Shehu.
Uzuni, i cili luan në SHBA me Austin dhe është në ‘vallen e merkatos’, tha se me Maran ekipi mund të luajë më shumë në sulm
“Normalisht që është stafi i ri, edhe në sistem më ndryshe. Me trajnerin e ri mund të luaj më ofensiv. Dhe dëshira është që të shënoj shumë gola. Normalisht do tregojmë veten, të gjithë mund të luajmë titullar. Siç e thashë edhe më përpara, i uroj suksese trajnerit Sylvinho. Përsa i përket trajnerit të ri, siç e shohim eksperiencën me skuadrat ku ka qenë, sulmuesit e tij kanë shënuar shumë gola dhe uroj që kjo të ndodhë edhe me ne”, tha Uzuni.
Ndërkohë që Juljan Shehu tha se ende nuk e di roli e tij në fushë, por do të bëjë maksimumin.
“Mendoj se çdo trajner ka idenë dhe medimet e veta për lojtarë në fushë. Nuk e di nëse do jem më para në fushë. E rëndësishme të jap më të mirë. Nuk e di për pozicionin, do bëjë maksimumin. Çdo trajner kërkon të ndryshojë ekipin me idetë që ka.
Stërvitja e sotme e Kombëtares do të zhvillohet në orën 18:00, ndërsa nesër në orën 16:30 trajneri Rolando Maran do të dalë përpara medieve me një futbollist të ekipit në prag të ndeshjes kundër Izraelit.