Aplikacion
Ernest Muçi nuk do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet miqësore që Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë gjatë muajit qershor, për shkak të një problemi fizik që e ka detyruar të mungojë në grumbullim.
Sulmuesi kuqezi reagoi vetë përmes rrjeteve sociale, ku sqaroi arsyen e mungesës së tij dhe shprehu keqardhjen që nuk do të mund të kontribuojë me skuadrën në sfidat e ardhshme.
“Më vjen keq që nuk mund të jem pjesë e Kombëtares për dy miqësoret për shkak të një dëmtimi. I uroj suksese çunave dhe trajnerit Maran në këto dy ndeshje. Shihemi së shpejti. Forca Shqipëri”, shkroi Muçi në reagimin e tij.
Mungesa e lojtarit ishte vënë re edhe në listën e publikuar nga trajneri Rolando Maran për sfidat ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, ndërsa tekniku italian kishte konfirmuar më herët se Muçi dhe Rey Manaj nuk ishin në gjendje optimale fizike.

Risitë e listës janë portieri i FK Partizani, Pano Qirko, dhe mesfushori i Carrarese Calcio, Luis Hasa, të cilët marrin për herë të parë një ftesë nga Kombëtarja.
Në skuadër rikthehen gjithashtu Alen Sherri, Simon Simoni, Andi Hadroj, Taulant Seferi dhe Cristian Shpendi.
Ndërkohë, për shkak dëmtimesh do të mungojnë Thomas Strakosha, Ernest Muçi, Nazmi Gripshi dhe Rey Manaj.
Shqipëria do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin qershor ndaj Israelit dhe Luxembourg. Të dyja sfidat do të luhen në stadiumin Air Albania Stadium, respektivisht më 3 dhe 6 qershor, në orën 20:00./ Zoom.al