zoom

Aktualitet

Makina ra në përrua/ Asnjë gjurmë nga i riu prej 20 ditësh, apeli prekës i vëllait të tij

Makina ra në përrua/ Asnjë gjurmë nga i riu prej 20 ditësh, apeli prekës i vëllait të tij

Kanë kaluar rreth 20 ditë nga dita kur Jurgen Karaj humbi gjurmët pas një aksidenti automobilistik, ndërsa përpjekjet për gjetjen e tij vazhdojnë ende.

I riu dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit pasi makina ku udhëtonte përfundoi në një përrua.

Vëllai i tij, Endrin Karaj, ka folur publikisht për dhimbjen e familjes, duke theksuar se e vetmja gjë që kërkojnë është të mund ta gjejnë trupin e të afërmit të tyre. Sipas tij, pas kaq ditësh pasigurie, familjarët duan të kenë të paktën një vend ku të mund ta kujtojnë dhe të vendosin një lule në nder të tij.

“Kemi 20 ditë që kërkojmë trupin. Dua ta gjej, ta di ku është. Ku t’ia vendos një lule, ta di se ku do të prehet.

Autoritetet kanë kërkuar për ta gjetur, por asnjë shenjë deri tani. Kemi kërkuar deri në liqenin e Ulzës. Në vendngjarje përveç meje, ndodhen FSK, policia dhe bashkia”, tha vëllai i tij.

Kërkimet janë shtrirë në një territor të gjerë, përfshirë zonat përgjatë rrjedhës së ujërave që lidhen me vendin e ngjarjes, deri në afërsi të liqenit të Ulzës. Në operacion janë përfshirë struktura të rendit, forca të emergjencës dhe autoritete vendore.

Aksidenti ndodhi në zonën e Darsit, ku automjeti doli nga rruga dhe ra në ujë. Drejtuesi i mjetit, 24 vjeç, arriti të dalë i gjallë, ndërsa pasagjeri, 30-vjeçari, nuk u gjet më. Dyshimet janë se rrjedha e fortë e ka tërhequr më tej përgjatë shtratit të ujit, duke vështirësuar gjetjen e tij.

Postime të lidhura