zoom

Aktualitet

25 ditë pa asnjë shenjë, familja pret lajme për Jurgen Karajn

25 ditë pa asnjë shenjë, familja pret lajme për Jurgen Karajn

Kërkimet për 30-vjeçarin Jurgen Karaj nga fshati Fullqet i Klosit po vazhdojnë prej 25 ditësh, pasi ai dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit në zonën e zallit të Darsit më 10 janar. Pavarësisht angazhimit të përditshëm të forcave në terren, deri tani nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e tij.

Që nga dita e ngjarjes, zona përgjatë lumit Mat është kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme. Në operacion janë përfshirë efektivë të Batalionit të Tretë të Këmbësorisë në Burrel, struktura të tjera ndihmëse, si edhe familjarë të të riut, të cilët janë bashkuar në kërkime.

Prej datës 29 janar, operacionit i është shtuar edhe një ekip i specializuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Çdo ditë, mbi dhjetë pjesëtarë të këtij grupi punojnë në bashkëpunim me forcat shqiptare për të kontrolluar zonat më të vështira të terrenit.

Vëmendja është përqendruar jo vetëm përgjatë shtratit të lumit, por edhe në basenin e Liqenit të Ulzës, ku dyshohet se mund të jenë përfunduar rrjedhat. Ekipi nga Kosova ka përdorur edhe dron nënujor për të inspektuar pjesët më të thella në hyrje të liqenit, duke zgjeruar ndjeshëm fushën e kontrollit.

Megjithë kontrollet e përsëritura përgjatë gjithë vijës ujore të Matit, deri më 3 shkurt nuk është gjetur asnjë shenjë që të çojë në lokalizimin e 30-vjeçarit./ Zoom.al

Postime të lidhura