zoom

Aktualitet

Asnjë gjurmë nga Jurgen Karaj prej 9 ditësh/ Rrëqethin familjarët: Të paktën të kemi një vend për të vendosur lule

Asnjë gjurmë nga Jurgen Karaj prej 9 ditësh/ Rrëqethin familjarët: Të paktën të kemi një vend për të vendosur lule

Prej nëntë ditësh, familja e 30-vjeçarit Jurgen Karaj nga Klos jeton mes ankthit dhe dhimbjes, pa asnjë shenjë për fatin e djalit të tyre, i cili dyshohet se u mor nga rrjedha e ujit pas një aksidenti të ndodhur në zallin e Darsit. Të afërmit apelojnë për më shumë angazhim dhe zgjerim të operacionit të kërkimit, duke theksuar se shpresa për ta gjetur ende nuk është shuar.

Babai dhe vëllai i Jurgenit, Shaban dhe Endrin Karaj, shprehen se, pavarësisht pranisë së forcave të shumta në terren, kërkimet nuk janë të mjaftueshme për shkak të shtrirjes së madhe të rrjedhës së lumit Mat.

Operacioni i kërkimit ka vijuar çdo ditë me pjesëmarrjen e dhjetëra efektivëve nga Forcat e Armatosura, FNSH, shërbimet zjarrfikëse, polumbarët e RENEA-s, si dhe punonjës të institucioneve të tjera. Megjithatë, familjarët theksojnë se terreni i vështirë dhe rrjedha e fuqishme e ujit kërkojnë më shumë burime dhe një perimetër më të gjerë kontrolli.

Mes dhimbjes së thellë, ata bëjnë një thirrje publike që kërkimet të mos ndalen, me shpresën që Jurgeni të gjendet dhe familja të ketë mundësinë ta përcjellë me dinjitet. “Të paktën të kemi një vend ku të vendosim një tufë lule”, shprehen të afërmit, duke theksuar se pasiguria është më e rëndë se çdo lajm.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës së 10 janarit, kur automjeti me të cilin udhëtonin Jurgen Karaj dhe 24-vjeçari Andi Losha përfundoi në ujërat e zallit të Darsit, teksa po ktheheshin në banesë në fshatin Fullqet. Losha arriti të dalë gjallë nga automjeti, ndërsa Jurgeni dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e fortë e ujit./ Zoom.al

Postime të lidhura