Aplikacion
Prej datës 9 janar, autoritetet po kërkojnë pa ndërprerje 30-vjeçarin Jurgen Karaj, i cili rezulton i zhdukur pas një aksidenti të ndodhur në zonën e Klosit. Pavarësisht angazhimit të strukturave shtetërore dhe kërkimeve intensive, ende nuk ka asnjë informacion mbi fatin e tij.
Një ditë më parë, ministri Pirro Vengu deklaroi se operacionet e kërkimit vijojnë në terren, por deri më tani pa rezultate konkrete. Dyshimet janë se i riu është marrë nga rrjedha e përroit në fshatin Dars, aty ku ndodhi aksidenti.
Sipas të dhënave, Jurgen Karaj ndodhej pasagjer në një automjet tip “Audi”, që drejtohej nga 24-vjeçari Andi Losha. Ky i fundit dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit, duke bërë që automjeti të përfundojë në përrua.
Autoritetet besojnë se Karaj është rrëmbyer nga uji menjëherë pas aksidentit, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është arrestuar nga policia sepse ishte në gjendje të dehur dhe po ashtu akuzohet se nuk ka dhënë ndihmën e nevojshme për 30-vjeçarin pas ngjarjes./ Zoom.al