Aplikacion
Dy ditë para mbledhjes së Asamblesë së PS, një listë me emrat e kabinetit të ri qeveritar po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale dhe grupet e komunikimit online.
Lista, e shpërndarë gjerësisht në WhatsApp, paraqet një konfigurim të ri të qeverisë, me emra të njohur të politikës shqiptare, por edhe figura të reja.
Sipas kësaj liste, Belinda Balluku përmendet si kandidate për Kryetare të Kuvendit, duke lënë kështu pas pozicionin e saj si ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë dhe njëherazi si zëvendëskryeministre. Në këtë post të fundit, ajo, sipas listës, zëvendësohet nga Adea Pirdeni. Gjatë mandatit të fundit të qeverisë Rama, Pirdeni ishte ministre për Administratën dhe Antikorrupsionin.
Në Ministrinë e Jashtme Elisa Spiropali zëvendëson Igli Hasanin. Nëse Rama e miraton listën me këto emra, ky do të ishte një rikthim për Elisa Spiropalin në kabinetin qeveritar, pasi gjatë mandatit të fundit të PS shërbeu si kryetare Kuvendi.
Pirro Vengu pritet të vijojë të mbajë postin e ministrit të Mbrojtjes.
Vlora Hyseni, dikur këshilltare e Ramës për çështjet e sigurisë dhe më pas drejtuese e SHISH, mund të emërohet ministre e Brendshme.
Këtë pozicion e kishte deri sot Bledi Çuçi. Ai pritet të kalojë në krye të Ministrisë së Bujqësisë, duke hequr kështu Anila Denajn.
Mes emrave të vjetër që do të mungojnë në kabinetin e ri qeverisës janë edhe ato të Mirela Kumbaros dhe Petrit Malajt.
Kumbaro do të zëvendësohet në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nga Ervin Demo, ish-kryetar i Bashkisë Berat. Ndërsa Malaj, një ministër jetëshkurtër i kabinetit të mëparshëm, do të lërë Financat për t’u zëvendësuar nga Genti Gazheli, aktualisht drejtor i Doganave.
Edhe Ulsi Manja sipas listës largohet nga Ministria e Drejtësisë dhe zëvendësohet nga Elira Kokona.
Nga ana tjetër, Ministria për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin shkrihet. Blendi Gonxhja kalon në krye të Ministrisë për Infrastrukturën, ndërsa Delina Ibrahimaj rikthehet në krye të Ministrisë për Ekonominë.
Arbjan Mazniku, momentalisht ministër për Pushtetin Vendor, kalon në krye të Ministrisë për Arsimin.
Kjo është një listë jo-zyrtare, pavarësisht sa shumë është shpërndarë dhe komentuar në rrjet. Emrat e rinj të qeverisë Rama do të jenë zyrtarë të enjten, gjatë mbledhjes së Asamblesë./ Zoom.al
