zoom

Aktualitet

“Kam thyer legenin”- Kërkoi lirimin nga qelia, GJKKO merr vendimin për ish-shefin e qarkullimit, Roven Zeka

“Kam thyer legenin”- Kërkoi lirimin nga qelia, GJKKO merr vendimin për ish-shefin e qarkullimit, Roven Zeka

GJKKO ka liruar nga paraburgimi ish-shefin e qarkullimit, Roven Zeka. Ndaj tij, togat e zeza kanë zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Roven Zeka kishte kërkuar një masë më të butë sigurie me pretendimin se kishte kthyer legenin.

Ish-shefi i qarkullimit dyshohet nga SPAK për korrupsion, lidhur me procedurat  që ka ndjekur në një aksident rrugor.

Më 21 Maj, masa e ‘arrestit në burg’ u la në fuqi nga Apeli i GJKKO për të dhe oficerin Edison Tabaku, ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku u lirua në ‘arrest në shtëpi’ për shkak të rrethanave familjare.

Vetëm 4 muaj pas emërimit, një urdhërarrest u lëshua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për drejtuesin e Policisë Rrugore të kryeqytetit, Roven Zeka më 19 prill të këtij viti.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se Roven Zeka, dhe shefi i sektorit të aksidenteve, Sokol Novaku morën një ryshfet prej 2 mijë eurosh nga një shofere, Anisa Vrioni, pas një aksidenti rrugor të ndodhur më 16 prill 2025 në Tiranë.

Nga përplasja e dy automjeteve, pesë pasagjerë të njërit automjet u dërguan në spital, ndërsa shoferja e automjetit tjetër, Anisa Vrioni, u detyrua të paguante shumën e kërkuar për të shmangur arrestimin.

Ryshfeti u sigurua nga bashkëshorti i shoferes, me ndihmën e disa personave të tjerë, dhe iu dorëzua njërit prej punonjësve të Policisë Rrugore. Gjatë hetimit janë sekuestruar si prova materiale rreth 2.5 milionë lekë dhe 26 mijë euro.

Postime të lidhura