Aplikacion
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur këtë të martë pretencën ndaj disa ish-zyrtarëve të Policisë Rrugore, të akuzuar se kanë marrë ryshfet për të shmangur arrestimin e një drejtuesje automjeti, e përfshirë në një aksident me pesë persona të plagosur.
Sipas SPAK, ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, Roven Zeka, dhe ish-shefi i hetimit të aksidenteve, Sokol Novaku, akuzohen për përfshirje direkte në skemën korruptive. Për secilin prej tyre, prokuroria kërkoi dënim me 4 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar mund të ulet në 2 vite e 8 muaj dhe të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Ndërkohë, për oficerin e Policisë Gjyqësore Edison Tabaku, SPAK kërkoi dënim me 5 vite burg, me ulje të një të tretës së dënimit për shkak të procedurës së shkurtuar. Për Bledi Belba, prokuroria kërkoi 1 vit e 6 muaj burg, dënim që të pezullohet dhe të zëvendësohet me shërbim prove.
Në këtë çështje është përfshirë edhe biznesmeni Ergest Vrioni, për të cilin SPAK kërkoi 2 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi të ulet në 1 vit e 4 muaj dhe të pezullohet, duke e vendosur në shërbim prove.
Sipas dosjes hetimore, ngjarja lidhet me një aksident rrugor të ndodhur më 16 prill 2025 në Tiranë, ku automjeti i drejtuar nga shtetasja Anisa Vrioni u përplas me një mjet tjetër, ku udhëtonin pesë persona, të cilët mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital.
Hetimi u zbulua rastësisht, pasi bashkëshorti i drejtueses së mjetit, Ergest Vrioni, ndodhej nën përgjim nga SPAK për një çështje tjetër korrupsioni. Nga përgjimet rezultoi se punonjës të Policisë Rrugore i kishin kërkuar familjarëve të shoferes shumën prej 2 mijë eurosh, me qëllim që ajo të mos arrestohej.
SPAK sqaroi se paratë u siguruan nga Vrioni dhe iu dorëzuan fillimisht Edison Tabakut pranë banesës së tij. Më pas, Tabaku kërkoi edhe 1 mijë euro të tjera, duke justifikuar se kishte “persona të tjerë mbi kokë”. Nga këqyrja e telefonit të tij, rezultuan komunikime të drejtpërdrejta me eprorët Roven Zeka dhe Sokol Novaku./ Zoom.al