zoom

Aktualitet

ISHP qetëson qytetarët: Asnjë rast me hantavirus në Shqipëri

ISHP qetëson qytetarët: Asnjë rast me hantavirus në Shqipëri

Instituti i Shëndetit Publik ka reaguar lidhur me shqetësimet e krijuara së fundmi për hantavirusin, duke siguruar qytetarët se në Shqipëri nuk është konfirmuar asnjë rast i këtij virusi. Autoritetet shëndetësore theksojnë se situata është nën kontroll dhe se nuk ekziston rrezik për përhapje masive apo pandemi.

Sipas specialistëve të ISHP-së, niveli i rrezikut për Shqipërinë dhe vendet europiane konsiderohet shumë i ulët. Ata sqarojnë se lloji i hantavirusit i identifikuar në shpërthimin e fundit lidhet me një specie brejtësi që nuk gjendet në Europë, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ekspertët bëjnë me dije se disa variante të hantavirusit mund të transmetohen vetëm në raste të kontakteve shumë të afërta dhe të zgjatura mes njerëzve, kryesisht në ambiente familjare. Ndërsa llojet e tjera që mund të qarkullojnë në rajon nuk përhapen nga njeriu te njeriu.

ISHP nënvizon se sistemi shëndetësor në vend është i përgatitur për të identifikuar dhe izoluar çdo rast të mundshëm në kohë, duke kryer edhe gjurmimin e kontakteve nëse do të jetë e nevojshme.

“Nuk ka fare rrezik. Risku për Shqipërinë dhe kontinentin është shumë i ulët. Nuk ka asnjë lloj kufizimi të udhëtimeve dhe tregtisë, jo vetëm për shtetasit shqiptarë, por edhe për europianët. Vlerësimi bazohet në disa kritere, së pari sepse nisur nga shpërthimi në anijen turistike, lloji i brejtësit që është rezervuar nuk ekziston në Europë dhe Shqipëri. Hantaviruset janë një grup, lloji i zbuluar në anije transmetohen vetëm në kontakte të ngushta dhe të gjata familjare nga njeriu tek njeriu. Llojet e tjera që qarkullojnë në Shqipëri nuk transmetohen mes njerëzve. Po marrim masa që në rast se do të kemi një rast, ai do të izolohet dhe do të gjurmohet.
Nuk ka vend për panik, shërbimi shëndetësor në të gjithë vendin është gati të identifikojë shpejt çdo rast të mundshëm”, ishte reagimi i ISHP./ Zoom.al

Postime të lidhura